Presidenti meksikan, Andres Manuel Lopez Obrador reagoi ndaj një njoftimi të Departamentit të Shtetit dhe akuzoi SHBA-të se po ndërhyjnë në punët e brendshme të vendit të tij.
“Siç është zakoni i tyre i keq, ata gjithmonë përzihen në punët që nuk u takojnë”, tha presidenti meksikan në konferencën e tij ditore për shtyp.
Ai shtoi se ka më shumë demokraci në Meksikë sesa në SHBA, teksa i bëri thirrje Uashingtonit të adresojë çfarë po ndodh në Peru.
Presidenti meksikan akuzon SHBA-në për mbështetjen e grushteve të shtetit që shkelën liritë dhe demokracinë në atë vend pasi parlamenti i Perusë rrëzoi Presidentin Pedro Castillo.
Reagimi i Lopez Obrador erdhi pas deklaratave të bërë nga zëvendës Sekretari i Shtetit i SHBA për Amerikën Latine, Brian Nichols të dielën, ku thuhej se SHBA mbështet institucionet elektorale të pavarura.
“Në Meksikë, ne jemi dëshmitarë të një debati të madh publik rreth reformave zgjedhore që po sfidojnë pavarësinë e institucioneve zgjedhore dhe gjyqësore,” tha të dielën Brian Nichols.
Shumë meksikanë protestuan të dielën që lamë pas kundër reformës që do të reduktojë buxhetin dhe stafin e Institutit Kombëtar të Zgjedhjeve (INE). Reforma tashmë është miratuar nga Senati dhe kërcënon pavarësinë e INE-së, pothuajse një vit para zgjedhjeve presidenciale të cilat do të mbahen në 2024.
Lini një Përgjigje