Bota26 Shkurt 2023, 15:21

Propozimi kinez për armëpushim mes Rusisë dhe Ukrainës, ministri gjerman: Të gjykohen veprat, jo fjalët!

Shkruar nga Pamfleti
Propozimi kinez për armëpushim mes Rusisë dhe Ukrainës,
Boris Pistorius

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius është skeptik lidhur me propozimin kinez për armëpushim në luftën e Rusisë në Ukrainë.

Kur i dëgjoj raportimet dhe nuk e di nëse janë të vërteta se Kina mund të jetë duke planifikuar furnizimin e Rusisë me dronë kamikazë, derisa e prezanton planin për paqe, atëherë duhet që Kinën ta gjykojmë nga veprimet, dhe jo fjalët e saj”, ka thënë ai për “Deutschlandfunk”.

Pistorius ka qenë në linjë me komentet e zyrtarëve të NATO-s dhe Komisionit Evropian, të cilët kanë ngritur dyshime për besueshmërinë e Pekinit si ndërmjetësues, pas propozimit të planit.

Pekini e ka prezantuar planin të premten, në përvjetorin e parë të luftës së Rusisë në Ukrainë.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i ka mirëpritur disa elemente të planit, mirëpo ka thënë se vetëm shteti ku është duke u kryer luftë duhet të jetë iniciator i planit për paqe.

Pistorius ka thënë se i takon Kievit të vendosë kur dhe nën çfarë kushtesh të nisë bisedimet me Moskën, dhe ka thënë se një skenar i njëjtë vlen edhe lidhur me vendimin për rikthimin e Gadishullit ukrainas të Krimesë, të cilin e ka pushtuar Moska më 2014.

“Kam prirje të them, po, Krimeja është territor ukrainas prandaj duhet t’i kthehet mbrapsht. Por sërish, ky nuk është vendim që duhet ta marrim ne”, ka thënë ai në intervistë.

ukraina