Bota15 Mars 2023, 09:00

Provokimet e Moskës ndaj SHBA, britanikët dhe gjermanët nxjerrin avionin rus jashtë hapësirës së NATO

Shkruar nga Pamfleti

Provokimet e Moskës ndaj SHBA, britanikët dhe gjermanët nxjerrin

Mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara e anëtarëve të tjerë të NATO-s po vijojnë tensionet pas ngjarjes së djeshme ku një dron amerikan u detyrua të ulej me emergjencë pas manovrave të kryera nga avionët rusë.

Sot CNN shkruan se një tjetër avion ushtarak rus, një Ilyushin Il-78 që zakonisht përdoret për transportin dhe furnizimin në ajër, ka kaluar hapësirën ajrore të Estonisë, vend i NATO, pa kërkuar autorizimin e nevojshëm në këto raste.

Menjëherë dy avionë të tipit Typhoon, një britanik dhe një gjerman, u ngritën në ajër për ta “shoqëruar” jashtë kufijve të Aleancës.

Ky është episodi i fundit i një seri provokimesh ruse që kulmuan dje me ngjarjen e dronit amerikan MQ-9 Reaper në Detin e Zi.

Ngjarja u komentua si një nga përplasjet e para e drejtpërdrejtë midis Uashingtonit dhe Moskës, por analistet nuk mendojnë se vetëm ky “fërkim” mund të çojë dy fuqitë bërthamore në një konflikt të hapur, që do të shndërronte luftën në Ukrainë në një konflikt global.  

Anatoly Antonov, ambasadori rus në SHBA, mohoi se Moska ka në plan një përballje të tillë, por shtoi se avionët amerikanë nuk duhet të fluturonin afër kufijve rusë.

“Imagjinoni në qoftë se një dron i tillë rus të shfaqej diku në Nju Jork, ose në  San Francisko, çfarë do të ndodhte”.  

Ndërsa Udhëheqësi i shumicës në Senatin Amerikan, Chuck Schumer e ka quajtur incidentin që çoi në rrëzimin e një droni mbikëqyrës amerikan Reaper "një akt tjetër i pamatur" nga presidenti rus Vladimir Putin dhe ushtria e tij.

"Dua t'i them zotit Putin, ndaloni këtë sjellje përpara se të jeni arsyeja për një përshkallëzim të paqëllimshëm," tha Schumer në fjalimin e hapjes së Senatit të SHBA.

Avionët rusë dhe amerikanë kanë operuar mbi Detin e Zi gjatë rrjedhës së luftës në Ukrainë, por ky është ndërveprimi i parë  mes dy vendeve, një përshkallëzim potencialisht i rrezikshëm në një kohë kritike të luftimeve.

Shtetet e Bashkuara kanë përdorur dronët Reaper mbi Detin e Zi që para fillimit të luftës, duke përdorur dronët spiun për të monitoruar zonën.

Dronët Reaper mund të fluturojnë deri në 50,000 metra, sipas Forcave Ajrore, dhe ata kanë sensorë e aftësi për të mbledhur informacione dhe për të kryer zbulim për periudha të gjata kohore, duke e bërë atë një platformë ideale për të gjurmuar lëvizjet në fushën e betejës dhe në Detin e Zi .

provokimet e moskës ndaj shba dronat në detin e zi