
Në vjeshtën e vitit të kaluar, Ukraina e ka rishkruar historinë e luftës së Rusisë në territorin e saj. Dhe kjo mund të mos jetë hera e parë, nëse gjërat shkojnë në të mirë të Ukrainës, në javët në vijim.
Më 1 tetor 2022, Rusia është larguar nga Limani – i cili gjendet në rajonin e Donjeckut – duke ua lënë qytetin forcave ukrainase, të cilat për dy muaj kundërofensivë, kanë arritur të rikthejnë kontrollin e dhjetëra vendbanimeve, dhe kanë vënë në pah problemet operacionale të ushtrisë së Rusisë.
Ky sukses e ka shokuar Rusinë dhe i ka befasuar shumë vëzhgues perëndimorë.
Tani, pas një dimri të gjatë, përgjatë së cilit Rusia nuk ka arritur të rikthejë momentumin, si Moska, ashtu edhe Kievi, janë në përgatitje të kundërofensivave. Zyrtarët ukrainas kanë thënë se një kundërofensivë nga ana e tyre është shumë e rëndësishme.
Në një mënyrë apo tjetër, do të shënojë pikë kthese në luftë. Por, ende nuk dihet se kur mund të nisë.
Pranvera e vonë dhe me shumë reshje në Ukrainë, e cila i bën të pakalueshme shumë fusha e pyje, mund të jetë përcaktuese në përgatitje.
Mirëpo ajo çfarë dihet, sipas vlerësimeve të Perëndimit, është se ofensiva do të jetë e madhe, dhe shumë më e komplikuar sesa përpjekjet paraprake të Ukrainës, prej nisjes së luftës së Rusisë më 24 shkurt 2022. Për këtë arsye, aleatët perëndimorë të Kievit, janë duke bërë parashikime me rezervë.
“Nëse dëshironi ta shihni realitetin në fushëbetejë, ne kemi një ngërç ushtarak dhe zvarritje të luftës. Kjo ofensivë, e cila me siguri do të nisë pas përfundimit të ‘periudhës së baltës’, është e domosdoshme në aspektin politik, por edhe atë ushtarak”, ka thënë Erich Vad, gjeneral ushtarak gjerman, dhe ish-këshilltar ushtarak i ish-kancelares gjermane, Angela Merkel.
“Mirëpo në fund, ka pak mundësi që ofensiva të ndryshojë situatën e përgjithshme ushtarake, për shkak të superioritetit numerik të Rusisë, dhe përshkallëzimit të dominimit të saj”.
“Ndoshta ukrainasit do të na befasojnë”, ka thënë ai për Radion Evropa e Lirë.
“Ata na kanë befasuar prej fillimit. Askush nuk e ka besuar se ata mund të luftojnë kundër superioritetit rus për një vit”.
“Ukrainasit janë zakonisht të padurueshëm kur bëhet fjalë për largimin e rusëve jashtë shtetit të tyre”, ka thënë Lawrence Freedman, profesor për studime të luftës në Kolegjin King të Londrës, në një analizë të publikuar më 16 prill.
“Mirëpo tani që pranvera erdhi, ekzistojnë dilema nëse ata vërtet janë gati për luftë të madhe kundër pushtuesve rusë”.
Forcat ukrainase janë pajisur me armë të reja, kanë formuar 12 brigada të reja, tri të katërtat e të cilave janë trajnuar nga zyrtarë amerikanë dhe ata të NATO-s.
Njësitet më të reja të Ukrainës, plus njësitet e saj të rregullta dhe të parregullta, do të nisin kundërofensivën me armë që kanë vlerën e mbi 32 miliardë dollarëve.
Armët i janë ndarë nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët evropianë. Në mesin e armëve amerikane që i janë ndarë Ukrainës, janë edhe armët e llojit Stryker, Bradley dhe HIMARS.
Ukrainasit kanë edhe raketa amerikane Patriot, derisa tanket Abrams M1, nuk pritet të arrijnë në kohë për ofensivën pranverore.
Armë tjera të avancuara që tani zotërojnë ukrainasit janë edhe tanket gjermane Leopard 2, tanket britanike, Challanger, dhe pajisjet franceze, AMX-10.
Komandanti amerikan për forcat evropiane, gjenerali Christopher Cavoli, u ka thënë deputetëve amerikanë, më 26 prill, se “98 për qind” e pajisjeve luftarake, të cilat i ka ndarë NATO-ja për Ukrainën, tashmë kanë arritur në territorin ukrainas.
“Jam optimist që mes këtij viti, dhe të ardhshmit, Ukraina do të vazhdojë ta ketë momentumin”, ka thënë Sekretari britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace, për gazetarët në Uashington, javën e kaluar.
“Po ashtu, mendoj që duhet të jemi realistë. Nuk do të ekzistoj ndonjë moment magjik se kur do të gjunjëzohet Rusia”.
Pavarësisht armëve të rënda që zotëron, Ukrainës janë duke i munguar armë tjera të rëndësishme: pajisjet e modelit të traktorëve për të pastruar tokën nga minat, apo pajisje për të krijuar ura të përkohshme për parakalim të armëve të rënda.
“Rusët e gëzojnë ende avantazhin numerik, dhe ato e gëzojnë edhe dominimin në fushëbetejë”, ka thënë Vad.
“Dhe ata tani janë në pozicion shumë të fuqishëm. Nëse njëra palë synon të kryejnë sulm, ajo duhet të ketë superioritet në fushëbetejë me numër tre deri në pesë herë më të madh të ushtarëve”.
“Nuk ka dyshim për natyrën komplekse të operacioneve të tilla”, ka thënë Mick Ryan, gjeneral i pensionuar australian, në një shkrim të publikuar këtë muaj.
“Në të vërtetë, nuk ekziston asnjë përpjekje ushtarake që është më e vështirë për t'u planifikuar, orkestruar dhe ekzekutuar, sesa tejkalimi i pengesave të armëve të kombinuara”. /REL
Lini një Përgjigje