Bota24 Prill 2023, 10:16

Pse Ukraina ka një rëndësi të veçantë për SHBA-në dhe Perëndimin?

Shkruar nga Carl Bildt
Pse Ukraina ka një rëndësi të veçantë për
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky dhe presidenti i SHBA, Joe Biden

Kjo luftë nuk është një mosmarrëveshje territoriale. Por një luftë kundër rendit botëror aktual...

Guvernatori republikan i Floridës, Ron DeSantis, një kandidat i mundshëm presidencial i SHBA, bëri bujë kohët e fundit duke e përshkruar luftën e Rusisë kundër Ukrainës si një “mosmarrëveshje territoriale”, e cila nuk ka lidhje me interesat thelbësore strategjike të Amerikës.

Pas kritikave të menjëhershme, si dhe një rënie në sondazhe, DeSantis u përpoq të tërhiqej nga ajo deklaratë. Por argumenti që ai solli mbetet në qarkullim, dhe DeSantis nuk është i vetmi që e përdor atë për konsum publik. Historia mund të na ndihmojë të kuptojmë nëse ka ndonjë meritë përshkrimi në këtë mënyrë i konfliktit nga DeSantis.

A kishte Adolf Hitleri një “mosmarrëveshje territoriale” me Poloninë, kur nisi sulmin e tij të shpejtë kundër fqinjit të tij në shtatorin e vitit 1939? Vetë Hitleri i kornizonte ndonjëherë këto çështje me këto terma, si për shembull kur fliste për detyrën e tij për të mbrojtur gjermanisht-folësit në Poloni.

Por një retorikë e tillë ishte gjithmonë vetëm një tymnajë për të larguar vëmendjen nga objektivi real. Hitleri donte ta eliminonte Poloninë e pavarur që ishte rishfaqur pas Luftës së Parë Botërore, duke i hapur kështu rrugën zgjerimit të Gjermanisë drejt lindjes.

Sigurisht, duhet pasur kujdes gjithmonë me paralelizmat historike. Por ngjashmëritë mes Hitlerit në vitin 1939 dhe presidentit rus Vladimir Putin sot janë të dukshme. Aty ku Hitleri shprehu shqetësim për gjermanishtfolësit në Danzig, Putini bën të njëjtën gjë për rusishtfolësit në Donbas.

Në të dyja rastet, askush nuk u mashtrua. Putini ka deklaruar hapur se ai e sheh Ukrainën si një “territor historik rus”, dhe se Vladimir Lenini bëri një gabim të madh politik kur lejoi lindjen e një shteti ukrainas pas Luftës së Parë Botërore. (Ai duhej të sulmonte edhe Stalinin, i cili lejoi Ukrainën Sovjetike të ishte një anëtar themelues i Kombeve të Bashkuara pas Luftës së Dytë Botërore).

Putini dëshiron që të kthehet prapa e gjithë kjo histori. Synimi i tij është eliminimi i Ukrainës si një shtet-komb, duke e transformuar atë në një rajon thjesht administrativ brenda një perandorie më të gjerë ruse. Modelet e tij janë Carët rusë të shekujve XVIII-XIX, ndërsa luftërat e tyre pushtuese janë frymëzimi i tij.

Çdo dyshim mbi qëllimet e Kremlinit është censuruar nga miqtë dhe aleatët politikë të Putinit. Marrim rastin e Dmitry Medvedev. Ish-president i Rusisë, që tani mban postin e nënkryetarit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, i cili ka deklaruar se një Ukrainë sovrane “nuk i nevojitet askujt në planet”, dhe për këtë arsye ajo do të pushojë së ekzistuari sapo Rusia ta mposhtë në luftë.

Duke i bërë jehonë Putinit, Medvedev thotë se Ukraina përbëhet nga “territore të shkëputura artificialisht nga Rusia, dhe shumë prej të cilave janë në origjinë ruse, të ndara rastësisht në shekullin XX”. Përfundimi i tij është i fikshëm: “Nuk kemi nevojë për Ukrainën. Ne kemi nevojë për Rusinë e Madhe”.

Një retorikë e tillë e pavarur nuk do të tolerohej në rast se ajo nuk do të pasqyronte pozicionin e Putinit dhe të pjesës tjetër të rrethit të tij të brendshëm lidhur me këtë çështje. “Rusia e Madhe” e Medvedevit ka ekzistuar në një moment të historisë.

Në atë kohë, të tjerët e quanin me një emër tjetër: “burgu i kombeve”. Pas rënies së Perandorisë Ruse në vitin 1917, Finlanda, Polonia, Estonia, Letonia dhe Lituania shfrytëzuan mundësinë për të siguruar pavarësinë e tyre. Dhe megjithëse ukrainasit u përpoqën të bënin të njëjtën gjë, ata u shtypën nga dhuna e bolshevikëve.

Të trajtosh projektin e artikuluar qartë të Kremlinit për rikrijimin e Rusisë së Madhe si një “mosmarrëveshje territoriale” është një gjykim i gabuar me përmasa historike. Rusia ka shkelur integritetin territorial të një shteti tjetër anëtar të OKB-së në një përpjekje për ta fshirë atë nga harta. Lejimi i Kremlinit që të përfitojë nga kjo vepër e rëndë kundër paqes ndërkombëtare mund të minojë të gjithë rendin global. Parimet thelbësore mbi të cilat mbështetet OKB-ja po sfidohen drejtpërdrejt dhe në një mënyrë që do t’u hapë derën shteteve të tjera me ambicie perandorake ose ankesa të nxehta për të gëlltitur fqinjët e tyre më të vegjël dhe më të dobët. Ne rrezikojmë të zbresim në një botë të sunduar nga ligji i xhunglës, ku forca përcakton se do politikan tjetër që dyshon nëse Perëndimi ka një interes tek e ardhmja e Ukrainës, çfarë është e drejtë.

DeSantis dhe çdo politikan tjetër që dyshon nëse Perëndimi ka një interes tek e ardhmja e Ukrainës, duhet të reflektojë mbi atë që është realisht në rrezik. Ata do të bënin mirë të lexonin deklaratat e vetë Medvedev dhe udhëheqësve të tjerë rusë për këtë çështje, që të mos bien në të njëjtin grackë si ata që e toleruan Hitlerin në fund të viteve 1930. Kjo luftë nuk është një mosmarrëveshje territoriale. Por një luftë kundër rendit botëror aktual./ Marrë nga "Project Syndicate"

shba ukrainë perëndimi