Përplasja e fundit me Malin e Zi është vetëm episodi më i ri i retorikës së ashpër të Aleksandar Vuçiç ndaj vendeve fqinje. Pas sulmeve ndaj aleancës ushtarake Shqipëri-Kosovë-Kroaci dhe tensioneve të vazhdueshme me Zagrebin e Podgoricën, presidenti serb po rikthen klimën e përplasjeve politike dhe diplomatike në Ballkan.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç po rikthen një nga lojërat e vjetra të politikës serbe në Ballkan: tensionet me fqinjët si instrument për forcimin e pushtetit të brendshëm dhe rritjen e ndikimit rajonal.
Përplasja e fundit me Malin e Zi është shembulli më i qartë i kësaj strategjie. Vuçiç refuzoi të marrë pjesë në ceremoninë për 20-vjetorin e pavarësisë së Malit të Zi, duke deklaruar se nuk mund të festojë “shkëputjen nga Serbia”.
“Të festoja diçka të tillë do të ishte turp për mua. Do t’i pështyja vetes dhe popullit tim në fytyrë”, deklaroi ai publikisht, duke ndezur menjëherë reagime të ashpra në Podgoricë.
Ministria e Jashtme e Malit të Zi iu përgjigj menjëherë Beogradit, duke e cilësuar retorikën e Vuçiç si të papërshtatshme dhe të dëmshme për marrëdhëniet mes dy vendeve. Podgorica theksoi se pavarësia e Malit të Zi nuk është akt kundër Serbisë apo popullit serb dhe akuzoi presidentin serb për instrumentalizim politik të historisë.
Por Beogradi nuk u tërhoq. Ministria e Jashtme serbe reagoi duke akuzuar autoritetet malazeze se po krijojnë artificialisht tensione dhe po sulmojnë presidentin serb “pa asnjë arsye reale”.
Më pas, Vuçiç publikoi një letër të gjatë drejtuar qytetarëve të Malit të Zi, ku deklaroi se Serbia “e ka dashur gjithmonë Malin e Zi më shumë sesa është dashur prej tij”, por shtoi se Beogradi nuk mund të mbështesë politika që sipas tij bien ndesh me interesat serbe.
Kjo përplasje nuk erdhi rastësisht. Marrëdhëniet mes Serbisë dhe Malit të Zi mbeten të brishta prej vitesh, sidomos pas hyrjes së Podgoricës në NATO dhe afrimit të saj me Bashkimin Europian. Vuçiç vazhdon të luajë me ndjeshmëritë identitare në Mal të Zi, ku një pjesë e popullsisë deklarohet serbe dhe ku Kisha Ortodokse Serbe ka ndikim të madh politik e shoqëror.
Por Mali i Zi është vetëm një pjesë e mozaikut të tensioneve që Vuçiç po ndërton në rajon.
Pak muaj më parë, presidenti serb sulmoi marrëveshjen ushtarake mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë, duke pretenduar se Serbia po përgatitet për “sulme” nga fqinjët. Ai paralajmëroi publikisht se Beogradi po armatoset dhe përmendi raketat hipersonike kineze që Serbia ka futur në arsenalin e saj.
Në Kroaci, Vuçiç është përplasur vazhdimisht me presidentin Zoran Milanoviç dhe kryeministrin Andrej Plenkoviç, ndërsa ndaj Kosovës vazhdon të mbajë një retorikë të fortë nacionaliste.
Kjo strategji lidhet edhe me izolimin e tij në rritje në rajon dhe Europë. Dy aleatët më të afërt filo-rusë të Vuçiç u rrëzuan: Milorad Dodik në Bosnje dhe Viktor Orban në Hungari.
Në këtë situatë, Vuçiç po mbështetet gjithnjë e më shumë te Rusia dhe Kina. Serbia vazhdon të refuzojë sanksionet ndaj Moskës dhe po forcon bashkëpunimin strategjik me Pekinin, sidomos në sektorin ushtarak dhe infrastrukturor.
Në planin e brendshëm, retorika nacionaliste mbetet arma më e fortë politike e presidentit serb. Sa herë përballet me presion apo pakënaqësi të brendshme, ai rikthen narrativën e “Serbisë së rrezikuar nga fqinjët”.
Por kjo lojë ka një kosto për rajonin. Ballkani mbetet ende i mbushur me tensione historike dhe çdo deklaratë agresive rikthen hijet e viteve ’90. Vuçiç mund të mos kërkojë konflikt real, por po rikthen një klimë përplasjesh të vazhdueshme politike dhe diplomatike në rajon, një strategji që Ballkani e njeh shumë mirë. /Pamfleti
Lini një Përgjigje