Presidenti rus, Vladimir Putin nuk përdor vetë mjete të inteligjencës artificiale, por zyrtarët që punojnë për të po, ka bërë të ditur Kremlini.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka deklaruar se Kremlini përdori mjete të inteligjencës artificiale për të ndihmuar në zgjidhjen e pyetjeve të qytetarëve gjatë eventit vjetor të pyetjeve dhe përgjigjeve të Putinit.
Putini të mërkurën ka bërë thirrje për një grup pune kombëtar për të koordinuar punën e Rusisë mbi modelet e inteligjencës artificiale gjeneruese vendase, të cilat ai tha se ishin jetësore për ruajtjen e sovranitetit rus.
Një robot i mundësuar nga inteligjenca artificiale kërceu për Putinin të mërkurën në një ekspozitë të organizuar nga Sberbank, banka më e madhe e Rusisë, e projektuar për të shfaqur përparimet teknologjike të kompanisë.
Ndërkohë zhvillime të reja kanë dalë në dritë nga fronti i luftës me Ukrianën.
Administrata e Donald Trump thuhet se ka përgatitur fshehurazi një plan paqeje për luftën në Ukrainë, sipas agjencisë së lajmeve Axios, e cila raporton se janë zhvilluar negociata me Rusinë. Burimet e informacionit vijnë nga zyrtarë amerikanë dhe rusë.Sipas Axios, plani përfshin 28 hapa dhe është konceptuar të modelojë qasjen e përdorur në Gazë. SHBA-ja raportohet se po punon “fshehurazi” me Rusinë për të hartuar një kornizë të re që synon t’i japë fund konfliktit.
Plani përfshin elementë si “paqja në Ukrainë, garancitë e sigurisë, siguria në Evropë dhe marrëdhëniet e ardhshme të SHBA-së me Rusinë dhe Ukrainën”, tha një burim. Ai drejtohet nga i dërguari special amerikan, Steve Witkoff, i cili thuhet se e ka diskutuar gjerësisht planin me të dërguarin rus Kirill Dmitriev, sipas Axios që citon një zyrtar amerikan.
Edhe pse Ukraina do të informohej zyrtarisht vetëm pasi plani të finalizohej, burimet thonë se ka pasur diskutime paraprake disa ditë më parë midis Witkoff dhe Rustem Umerov, këshilltar i sigurisë i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky. Presidenti Zelensky pritet të njihet me planin gjatë një takimi me Sekretarin e Ushtrisë së SHBA-së, Daniel Driscoll, dhe Shefin e Shtabit të Ushtrisë, Gjeneral Randy George, të cilët ndodhen tashmë në Ukrainë.
Zyrtarët evropianë janë gjithashtu duke u informuar nga SHBA-ja për këtë iniciativë. Shtypi amerikan shkruan se administrata Trump “është optimiste” për këtë opsion.
Lini një Përgjigje