FIFA ka konfirmuar zyrtarisht për “BBC Sport” se nuk do të ketë asnjë masë disiplinore ndaj mesfushorit argjentinas Leandro Paredes, pas përplasjes së madhe që ndodhi menjëherë pas përfundimit të finales së Kupës së Botës mes Spanjës dhe Argjentinës.
Argjentina u mposht 1-0 pas kohës shtesë nga Spanja në “New York/New Jersey Stadium”, ndërsa emocionet e finales u shndërruan në kaos pas vërshëllimës së fundit të arbitrit Slavko Vinçiç. Lojtarët e të dyja skuadrave u përfshinë në një përleshje masive, ku protagonist kryesor ishte Paredes.
Mesfushori argjentinas u pa duke u përplasur fizikisht me mbrojtësin spanjoll Erik Garsia, të cilin e shtyu dhe e kapi për fyti. Ndërkohë, Gavi ndërhyri për të mbrojtur shokun e skuadrës, por përfundoi i rrëzuar në tokë pas ndërhyrjes së Paredesit.
Fillimisht, sistemi zyrtar i informacionit të FIFA-s për komentatorët raportoi se arbitri slloven Slavko Vinçiç kishte ndëshkuar Paredesin me karton të kuq për përfshirjen në konflikt. Megjithatë, pak më vonë ky informacion u hoq nga raporti zyrtar i ndeshjes, duke krijuar konfuzion mbi atë që kishte ndodhur realisht.
Nuk pati karton të kuq të anuluar
Gazetari i “BBC Sport”, Dejl Xhonson, sqaroi se nuk bëhej fjalë për një karton të kuq të anuluar, pasi Paredes nuk ishte ndëshkuar kurrë zyrtarisht me të kuq.
Sipas tij, raportimi fillestar në sistemin e FIFA-s ishte i pasaktë dhe më pas u korrigjua duke u hequr nga dokumentacioni zyrtar i ndeshjes.
FIFA nuk ka dhënë një shpjegim publik për këtë ndryshim, por konfirmimi se ndaj Paredesit nuk do të ketë asnjë procedurë disiplinore e ka mbyllur çështjen për mesfushorin në aspektin personal.
Kritika të shumta ndaj sjelljes së lojtarëve
Përleshja pas finales shkaktoi reagime të shumta nga ish-futbollistë të njohur. Sipas raportimeve, Zlatan Ibrahimoviç kritikoi ashpër sjelljen e Paredesit, duke e cilësuar atë si jo profesionale.
Edhe ish-yjet e futbollit si Uejn Runi dhe Alan Shirer reaguan kundër skenave të dhunshme të shfaqura në fund të finales.
Në incident u përfshinë edhe lojtarë të tjerë argjentinas. Nahuel Molina u pa duke goditur Rodrin, i cili më pas u shpall lojtari më i mirë i turneut.
FIFA heton Argjentinën
Edhe pse Paredes nuk do të ndëshkohet individualisht, FIFA ka nisur një hetim për sjelljen e përgjithshme të kombëtares argjentinase pas përfundimit të ndeshjes.
Komiteti Disiplinor i FIFA-s ka caktuar një prokuror për çështje disiplinore dhe etike për të analizuar ngjarjet pas finales. Hetimi mund të prekë edhe Federatën Argjentinase të Futbollit (AFA).
Sipas Kodit Disiplinor të FIFA-s, përfshirja në përleshje fizike mund të sjellë pezullime të paktën tre ndeshje për një kombëtare.
Deri tani mbetet e paqartë nëse FIFA do të shqyrtojë edhe mënyrën se si u menaxhua situata nga gjyqtari gjatë dhe pas konfliktit në fushë.
Lini një Përgjigje