
Një përplasje e re diplomatike ka shpërthyer mes Moskës dhe Kievit, pasi presidenti rus Vladimir Putin deklaroi nga Kina se është i gatshëm të presë në Moskë presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, për një takim të nivelit të lartë që mund të çojë drejt përfundimit të luftës.
“Nëse Zelensky është gati, le të vijë në Moskë. Takimi do të ndodhë. Kurrë s’kemi qenë kundër një takimi, për sa kohë është i përgatitur mirë dhe mund të prodhojë rezultate pozitive,” u shpreh Putini nga Pekini, gjatë një konference për shtyp, ku pranoi gjithashtu se Donald Trump ka kërkuar personalisht realizimin e këtij takimi.
Sipas Putinit, “Donald më pyeti nëse një takim i tillë ishte i mundur. I thashë, po, është i mundur.”
Por reagimi nga Kievi ishte i menjëhershëm dhe i prerë. Ministri i Jashtëm ukrainas, Andriy Sibikha, duke komentuar ftesën e Putinit, e quajti atë “të papranueshme” dhe të paqëndrueshme diplomatikisht.
“Presidenti rus po bën propozime të papranueshme. Ka shtatë vende të tjera që kanë ofruar gatishmërinë për të pritur një takim të mundshëm mes liderëve,” tha Sibikha, duke lënë të kuptohet se Ukraina nuk do të zhvillojë kurrë bisedime në tokën e agresorit.
Lini një Përgjigje