
I rikthyer në qendër të vendimmarrjes globale, Donald Trump ka paralajmëruar se do të zhvillojë “shumë shpejt” një bisedë direkte me presidentin rus Vladimir Putin, në përpjekje për të ndikuar rrjedhën e luftës në Ukrainë.
“Do të flas me të gjatë disa ditëve të ardhshme,” deklaroi Trump përpara gazetarëve. “Dua të di saktësisht se çfarë ka ndodhur. Kemi ndërmarrë masa shumë të forta, dhe jo vetëm në një drejtim. Ka edhe mënyra të tjera që po i përdorim.”
Kjo deklaratë vjen pak pas sinjaleve të ashpra të Putinit nga Pekini, ku ai la të nënkuptohet se Rusia është e gatshme të “marrë me forcë atë që i takon” nëse dështojnë përpjekjet për marrëveshje me Ukrainën.
Trump, pa i përmendur drejtpërdrejt këto kërcënime, la të kuptohet se është i shqetësuar për intensifikimin e konfliktit dhe se do të kërkojë një zgjidhje alternative.
“Besoj se do të arrijmë një zgjidhje të mirë për këtë luftë,” tha ai. “Por lufta është një gjë shumë interesante. Asnjëherë nuk i dihet me luftën. Është e ndërlikuar, e rrezikshme... një rrëmujë e vërtetë. Një rrëmujë e përgjakshme.”
Ai e mbylli komentin me një apel të qartë: “Në fund të ditës, duhet të ndalet vrasja e këtyre shpirtrave.”
Lini një Përgjigje