TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota18 Nëntor 2025, 16:58

Qeveria britanike akuzon Pekinin për ndërhyrje në punët e brendshme, MI5 zbulon dy spiunë kinezë

Shkruar nga Pamfleti

Qeveria britanike akuzon Pekinin për ndërhyrje në punët e

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka hedhur një akuzë të rëndë ndaj Kinës, duke e cilësuar aktivitetin e saj në territor britanik si “përpjekje të fshehta, të koordinuara dhe të llogaritura” për të ndikuar në sovranitetin politik të Londrës. Paralajmërimi erdhi pasi MI5 publikoi një alarm të ri sigurie që lidhet me tentativat e inteligjencës kineze për të depërtuar në institucionet shtetërore.

Ministri britanik i Sigurisë, Dan Jarvis, foli hapur për një fushatë të organizuar të inteligjencës kineze që, sipas tij, përdor kompani fasadë dhe headhunter-ë të jashtëm për të kontaktuar persona që punojnë në institucione me qasje në informacion qeveritar.

Jarvis paralajmëroi se: "Objektiv i operacioneve kineze nuk janë vetëm deputetët, por çdo person që lëviz në ambientet e parlamentit ose të qeverisë".

Kina ka “një prag shumë të ulët” për atë çfarë konsideron informacion të vlefshëm dhe përdor fragmente të vogla të dhënash për të ndërtuar një panoramë më të gjerë të funksionimit të shtetit britanik.

Në deklaratën më të drejtpërdrejtë, ai tha: “Kjo është një ndërhyrje e maskuar dhe e qëllimshme e një fuqie të huaj në punët tona sovrane. Kjo qeveri nuk do ta tolerojë.”

Jarvis theksoi se Britania do të marrë “të gjitha masat e nevojshme” për mbrojtjen e interesit kombëtar, përfshirë koordinimin me aleatët kryesorë të saj.

Ministri konfirmoi se Sekretarja e Jashtme britanike i ka komunikuar homologut kinez më 6 nëntor se çdo aktivitet që cënon sigurinë kombëtare dhe demokracinë e Mbretërisë së Bashkuar “do të trajtohet me zero tolerancë”.

Megjithatë, Jarvis la të hapur një derë bashkëpunimi me Kinën “kur interesat përkojnë” – një qëndrim tipik i diplomacisë britanike, e cila përpiqet të ruajë ekuilibrin midis konkurrencës dhe angazhimit.

Lini një Përgjigje