Forcat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit deklaruan se kanë kryer një sulm me raketa ndaj objektivave institucionale në Izrael, përfshirë zyrën e Kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe selinë e komandës së Forcave Ajrore izraelite.
Sipas një deklarate të cituar nga agjencia iraniane e lajmeve Tasnim, sulmi u realizua me “raketa të synuara dhe të papritura” dhe ka goditur “rëndë” objektet e përmendura.
“Zyra e Kryeministrit të regjimit sionist dhe selia e komandantit të Forcave Ajrore janë sulmuar dhe goditur rëndë nga forcat e armatosura të Republikës Islamike në sulme të synuara dhe të papritura me raketa”, thuhet në deklaratë.
Në të njëjtin komunikim, Garda Revolucionare pretendon se mbijetesa e kryeministrit Netanyahu mbetet “e pasigurt”, pa dhënë detaje shtesë mbi gjendjen e tij apo mbi pasojat konkrete të sulmit.
Deri tani, autoritetet izraelite nuk kanë konfirmuar publikisht nëse zyra e kryeministrit apo komanda qendrore e Forcave Ajrore janë goditur, as kanë dhënë informacion mbi dëme apo viktima të mundshme.
Ky zhvillim vjen në një periudhë tensionesh të larta në Lindjen e Mesme, pas raportimeve për sulme të njëpasnjëshme mes palëve. Prej dy ditësh, që nga sulmi amerikan ndaj objektivave në Iran, rajoni përballet me përshkallëzim të situatës së sigurisë. Mediat ndërkombëtare raportojnë për rritje të shkallës së gatishmërisë ushtarake dhe paralajmërime për reagime të mëtejshme, ndërsa komuniteti ndërkombëtar bën thirrje për përmbajtje dhe ulje të tensioneve.
Situata mbetet e paqartë dhe zhvillimet në terren pritet të përcaktojnë nëse përplasja do të zgjerohet më tej në rajon.

Lini një Përgjigje