
Kryeministri maqedonas Hristijan Mickoski, duke komentuar raportin e progresit të Komisionit Evropian për vendin e tij, ka deklaruar se ka më tepër arritje se Shqipëria.
Mickoski tha se nuk pajtohet me deklaratën e disa komisionerëve evropianë se Shqipëria është përpara Maqedonisë në rrugën drejt BE-së.
Ai shtoi se tani, pas zgjedhjeve lokale, qeveria do të përqendrohet në reformat në gjyqësor.
“Jam jashtëzakonisht i kënaqur pas raportit, sepse nuk ka konstatuar regres në ecurinë e reformave.
Duhet pranuar se ka ngecje në disa fusha, dhe për këtë arsye nevojiten ndryshime në Këshillin Gjyqësor dhe në Prokurori.
Gjithsesi, ne jemi para Shqipërisë në arritje e reforma.
Do të ishte më mirë nëse do të bënim ndryshimet kushtetuese, dhe pastaj nuk do të kishim një ‘veto’.
Mali i Zi është i pari, Maqedonia dhe Serbia në vendin e dytë, dhe pastaj vjen Shqipëria”, tha Mickoski.
Komentet vijnë në një kohë kur Edi Rama ka deklaruar se synon anëtarësimin e Shqipërisë në BE brenda 2030, ndërsa mbyllja e kapitujve të realizohet në 2027. Nga Brukseli dhe burokratët e Komisionit Europian, në muajt e fundit, Edi Rama ka marrë vlerësime në raport me integrimin, ndonëse qeveria e tij është mbërthyer nga skandale të njëpasnjëshme dhe akuza për manipulim zgjedhjesh.
Lini një Përgjigje