TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 2 Dhjetor 2025, 10:05

Rritja e taksave ndez flakë Bullgarinë, protestat më të mëdha të dekadës sfidojnë qeverinë!

Shkruar nga Pamfleti
Rritja e taksave ndez flakë Bullgarinë, protestat më të
Pamje nga protesta

Protestuesit 'mbërthejnë' Sofien, përleshje me policinë me gurë dhe dhe fishekzjarre.

Bullgaria është përfshirë nga protestat më të mëdha antiqeveritare të dekadës, me mijëra qytetarë që dolën në rrugët e Sofjes për të kundërshtuar planet e qeverisë për rritje taksash dhe kontributesh shoqërore.

Demonstratat, të cilat nisën si kundërshtim ndaj buxhetit të vitit 2026, u shndërruan shpejt në përplasje, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike, dëme të shumta në qendër të kryeqytetit dhe tensione politike që po rrisin presionin për zgjedhje të parakohshme.

Sipas raportimeve, protestues të maskuar u përplasën me policinë, hodhën sende të forta dhe ndezën zjarr në koshat e mbeturinave pranë selisë së partisë në pushtet. Shishe, gurë, objekte të tjera dhe mjete piroteknike u përdorën ndaj oficerëve, ndërsa policia raportoi disa të lënduar dhe kryerjen e mbi dhjetë arrestimeve.

Tensionet arritën deri aty sa Presidenti Rumen Radev kërkoi hapur dorëheqjen e qeverisë së kryeministrit Rosen Zhelyaskov. Ai e cilësoi situatën si një krizë të provokuar dhe akuzoi “strukturat mafioze”, siç u shpreh, për nxitjen e përplasjeve me qëllim deformimin e mesazhit të protestave. Radev theksoi se vendi ka nevojë për zgjedhje të parakohshme si rruga e vetme për të rikthyer stabilitetin.

Rritja e taksave ndez flakë Bullgarinë, protestat më të

Protestat po zhvillohen në një moment kur Bullgaria përgatitet për anëtarësim në eurozonë në vitin 2026, proces që mbetet shumë i diskutueshëm brenda vendit. Afërsisht gjysma e popullsisë kundërshton kalimin nga leva te euroja, duke shprehur shqetësime për rritje çmimesh dhe humbje sovraniteti. Presidenti ka kërkuar madje mbajtjen e një referendumi, gjë që ka shtuar edhe më shumë polarizimin.

Përplasjet e djeshme u shoqëruan me sabotime të mundshme ndaj rrjetit energjetik, që lanë disa zona të Sofjes pa energji për orë të tëra. Ministria e Energjisë njoftoi se ka nisur hetime për akte vandalizmi në termocentrale, ndërsa agjencia shtetërore e lajmeve BTA raportoi ndërprerje të shërbimeve të internetit gjatë natës.

Ngjarjet e fundit po interpretohen nga analistët si një shenjë e qartë se në Bullgari po ngrihet një gjeneratë e re proteste, e ashtuquajtura “Gjenerata Z”, e cila po bëhet gjithnjë e më aktive kundër korrupsionit dhe politikave që perceptohen si të padrejta ekonomikisht. Demonstratat e djeshme duket se e kanë hapur një kapitull të ri të trazuar për politikën bullgare, në një kohë kur vendi synon integrimin e plotë në strukturat europiane, por po përballet me pakënaqësi të thellë sociale. /Pamfleti

protesta ne bullgari

Lini një Përgjigje