Përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut kanë shkaktuar një numër të madh viktimash në Indonezi.
Numri i viktimave ka shkuar në 631, ndërsa 500 të tjerë janë të zhdukur dhe 1 milionë njerëz janë evakuuar.
Përmbytjet, të cilat u shkaktuan nga një ciklon i rrallë që ishte formuar mbi ngushticën e Malakës, kanë goditur tre provinca dhe kanë prekur rreth 1.5 milion njerëz, sipas agjencisë qeveritare të fatkeqësive.
"Thjesht prisja të vdisja. Nuk doja të largohesha nga shtëpia ime", tha Nurdin i cili jeton në qytetin e Langsës, për Al Jazeera-n.
"Vendosa të vdisja atje, por gruaja ime këmbënguli që të largoheshim", shtoi ai.
Me shumë zona në të gjithë ishullin e Sumatrës ende të paarritshme, numri i të vdekurve pritet të rritet.
Shumë pjesë të ishullit janë mbuluar nga rrëshqitjet e dheut, pas përmbytjeve të menjëhershme të cilat i kanë bërë rrugët të pakalueshme dhe kanë penguar përpjekjet e kërkim-shpëtimit.
Indonezia është vetëm një pjesë e Azisë që është goditur nga shira të rrëmbyeshëm dhe stuhi në ditët e fundit, me Tajlandën, Malajzinë dhe Sri Lankën që gjithashtu raportojnë vdekje.
Në të gjithë Azinë Jugore dhe Juglindore, rreth 1,100 persona kanë humbur jetën javën e fundit nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut. Në Sri Lanka, rreth 355 persona humbën jetën, ndërsa në Tajlandë numri i të vdekurve ka arritur të paktën 176.


Lini një Përgjigje