
NATO paralajmëron goditje parandaluese ndaj Rusisë
I dërguari i Donald Trump, Steve Witkoff, pritet të takohet sot me Vladimir Putinin në Moskë, në një moment kur diplomacia po intensifikohet për të gjetur rrugëdaljen e mundshme nga lufta në Ukrainë.
Sipas zëdhënëses së Trump-it, Karoline Leavitt, Uashingtoni është “shumë optimist” për arritjen e një marrëveshjeje, pas bisedimeve që zyrtarë amerikanë zhvilluan të dielën me përfaqësues të Ukrainës.
Putin ka lënë të kuptohet javën e kaluar se do ta ndërpresë luftën vetëm nëse trupat ukrainase tërhiqen nga katër rajonet që Rusia i aneksoi në mënyrë të paligjshme në vitin 2022. Edhe pse Moska nuk i kontrollon plotësisht këto territore, ushtria ruse ka shënuar përparimin më të madh brenda një viti gjatë muajit nëntor, duke marrë nën kontroll rreth 270 milje katrore, sipas analizës së agjencisë AFP.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se dorëzimi i territorit nuk është opsion.
Ndërkohë, Zelenskyy ndodhej të hënën në Paris për bisedime me presidentin francez Emmanuel Macron. Ky i fundit zhvilloi gjithashtu një telefonatë të përbashkët me kryeministrin britanik Keir Starmer, duke riafirmuar mbështetjen për sovranitetin e Ukrainës.
Megjithatë, diplomacia e shtyrë përpara nga plani i paqes i Trump-it, sipas analizës së Nigel Gould-Davies nga International Institute for Strategic Studies, ka “zbuluar dhimbshëm dobësinë e Europës”. Sipas tij, edhe pse është burimi kryesor i ndihmës ekonomike dhe ushtarake për Ukrainën, Evropa mbetet periferike në procesin diplomatik dhe nuk ka bërë më shumë sesa të sugjerojë amendime ndaj projekt-marrëveshjes amerikane.
Gjatë kësaj kohe, aleatët europianë kanë qenë objektiv i formave të ndryshme të “luftës hibride”, përfshirë shkeljet e përsëritura të hapësirës ajrore nga dronë dhe avionë luftarakë rusë.
Shefi më i lartë ushtarak i NATO-s shkoi deri aty sa të deklaronte të hënën se aleanca mund të konsideronte një “goditje parandaluese” ndaj Rusisë si një akt “mbrojtës”, sipas raportimit të Financial Times. Deklarata e admiralit Giuseppe Cavo Dragone u dënua menjëherë nga Kremlini, i cili e cilësoi jashtëzakonisht të papërgjegjshme dhe nxitëse të përshkallëzimit. /Pamfleti
Lini një Përgjigje