Mbështetja brenda Shtëpisë së Bardhë dhe baza MAGA rrit profilin e tij politik, ndërsa Vance mbetet favorit
Disa nga bashkëpunëtorët më të afërt të presidentit Donald Trump po e konsiderojnë gjithnjë e më shumë Marco Rubion si një kandidat serioz për zgjedhjet presidenciale të vitit 2028, një vlerësim që reflekton mënyrën e tij të kujdesshme në menaxhimin e konflikteve ndërkombëtare dhe aftësinë për të shmangur rreziqet politike.
Ky zhvillim përbën një kthesë të dukshme për një politikan që më parë ishte konsideruar si shumë i ashpër në politikën e jashtme, shumë i lidhur me establishmentin dhe i dëmtuar nga dështimi në garën presidenciale të vitit 2016. Megjithatë, roli i tij në përpjekjet kundër Nicolas Maduro-s në Venezuelë dhe besnikëria e vazhdueshme ndaj Trump-it i kanë sjellë mbështetje si në Shtëpinë e Bardhë ashtu edhe në një pjesë të bazës MAGA.
Rubio ka deklaruar se nuk do të sfidojë nënpresidentin JD Vance për nominimin republikan. Megjithatë, mbetet e paqartë nëse afrimi i tij me politikën MAGA do të ishte i mjaftueshëm për të fituar shumicën e mbështetjes së kësaj baze në rast kandidimi. Përkrahësit e tij brenda rrethit të Trump-it e konsiderojnë këtë afrimitet si një avantazh, duke theksuar se presidenti vlerëson shpesh figurat që kanë kaluar nga skepticizmi në mbështetje aktive.
Këshilltari i Trump, Alex Bruesewitz, deklaroi se pas vitit 2016, Rubio kishte dy alternativa: të distancohej nga Trump, siç bëri ish-guvernatori John Kasich, ose të përqafonte lëvizjen MAGA. Sipas tij, Rubio zgjodhi këtë të fundit dhe u shndërrua në një nga mbështetësit më të fortë të saj.
Një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë e përshkroi Rubion si “besnik, shumë inteligjent, elokuent dhe me përvojë”, duke shtuar se ai është “fitues”.
Presidenti Trump nuk ka dhënë ende një mbështetje për një pasardhës, por qëndrimi i tij pritet të jetë vendimtar. Nëse Rubio vendos të kandidojë, ai do të përballet me sfidën e kalimit nga një rol qeveritar në një fushatë elektorale, një hap që ka rezultuar i vështirë për figura të njohura në të dyja partitë.
Sondazhet tregojnë një rritje të ndjeshme të mbështetjes për të. Një sondazh i CPAC muajin e kaluar e vendosi atë në 35%, nga vetëm 3% një vit më parë. Ndërkohë, JD Vance ka rënë nga 61% në 53%, por mbetet në krye. Edhe sondazhet e YouGov tregojnë një dinamikë të ngjashme: në prill, Vance kishte 63%, ndërsa Rubio 42%, krahasuar me 65% dhe 33% në shtator.
Sipas dy zyrtarëve të lartë të Shtëpisë së Bardhë dhe disa personave të afërt me administratën, Rubio tashmë përfshihet në diskutime si një opsion i mundshëm për të pasuar Trump. Ata theksojnë se përvoja e tij politike dhe roli i dyfishtë si Sekretar Shteti dhe drejtues i Këshillit të Sigurisë Kombëtare e vendosin atë në qendër të vendimmarrjes strategjike.
Afërsia fizike me presidentin konsiderohet një faktor kyç. Sean Spicer, ish-zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë, theksoi se ky rol i dyfishtë i ka dhënë Rubios akses të drejtpërdrejtë dhe kontakte të shpeshta me Trump-in, çka ka qenë vendimtare për rritjen e profilit të tij.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Anna Kelly, nuk komentoi drejtpërdrejt për mundësinë e kandidimit, por vlerësoi punën e tij duke theksuar se përgjegjësitë e dyfishta e ndihmojnë të kuptojë më mirë prioritetet e presidentit dhe t’i zbatojë ato në politikën e jashtme.
Rritja e Rubios lidhet edhe me rolin e tij në politikën më të ashpër të administratës në hemisferën perëndimore. Ai ka qenë i përfshirë në operacione kundër trafikut të drogës dhe në veprime në Venezuelë dhe Kubë. Gjithashtu, ai ka koordinuar plane pas operacioneve, duke përfshirë agjenci të ndryshme federale për zhvillimin ekonomik të rajonit.
Në fushën e emigracionit, Rubio ka ndërmarrë masa të forta, përfshirë anulimin e kartave të gjelbra për persona me lidhje me Iranin dhe zyrtarë palestinezë, si dhe revokimin e mijëra vizave studentore dhe vendosjen e një politike të ashpër për shkelësit e ligjit.
Një tjetër avantazh për të është shmangia e skandaleve apo situatave që mund të krijojnë probleme për presidentin, si dhe fakti që nuk është parë si kundërshtar i linjës së Trump në çështje të ndjeshme.
Megjithatë, disa figura konservatore mbeten skeptike. Ata argumentojnë se Rubio, ndonëse përdor retorikë MAGA, mbetet më shumë një republikan tradicional me fokus te ulja e taksave dhe forcimi i ushtrisë, një qasje që mund të mos mobilizojë elektoratin populist.
Nga ana tjetër, mbështetësit e tij e konsiderojnë një komunikues shumë efektiv. Sean Spicer e cilësoi atë si një nga zërat më të suksesshëm të administratës, ndërsa të tjerë theksojnë aftësinë e tij për të shpjeguar dhe justifikuar politika të debatueshme në mënyrë të kuptueshme për publikun.
Rubio ka marrë mbështetje edhe nga disa figura konservatore që më parë kishin kritikuar administratën, si Laura Loomer, e cila ka deklaruar se ai mund të bëhet president në të ardhmen.
Megjithatë, disa mbështetës të linjës së fortë MAGA mbeten të rezervuar për shkak të qëndrimeve të tij të mëparshme në politikën e jashtme dhe emigracion.
Në të njëjtën kohë, JD Vance mbetet një kandidat i fortë, me avantazh në sondazhe dhe mbështetje të konsiderueshme brenda dhe jashtë administratës, përfshirë figura si Donald Trump Jr. dhe Elon Musk.
Në fund, mbetet e paqartë nëse Rubio do të vendosë të kandidojë. Një person që e njeh atë tha se vendimi varet nga vetë ai. Ndërkohë, presidenti Trump pritet të marrë një vendim përfundimtar për mbështetjen e tij vetëm pas zgjedhjeve të ndërmjetme në nëntor. /Përshtatur nga Politico/
O vetem te iki ai manjaku seksual,I kapur nga ruset dhe mosadi Le ta marre kush te doje pas tij.
po, shume e drejte