Ryanair njoftoi zyrtarisht ndërprerjen e funksionimit të bazës së saj në aeroportin “Maqedonia” të Selanikut, një zhvillim i paralajmëruar ditët e fundit dhe i kundërshtuar nga aktorët lokalë.
Baza e kompanisë low cost do të mbyllet nga sezoni dimëror. Ajo aktualisht shërben tre avionë të Ryanair.
Paralelisht, kompania njoftoi edhe ulje të kapaciteteve në aeroportin e Athinës për dimrin e vitit 2026. Sipas Ryanair, kjo do të sjellë humbjen e 700 mijë vendeve për pasagjerë, ose 45% më pak, si dhe heqjen e 12 linjave gjatë sezonit dimëror.
Ryanair pretendon se ulja e lidhjeve ajrore lidhet drejtpërdrejt me tarifat që, sipas saj, vendosen nga Fraport Greece dhe aeroporti i Athinës. Kompania thotë se qeveria greke uli me 75% Tarifën e Zhvillimit të Aeroporteve, nga 12 euro në 3 euro për pasagjer, duke nisur nga nëntori 2024, por se shumica e aeroporteve greke nuk e kanë përcjellë këtë ulje te pasagjerët.
Sipas kompanisë, Fraport Greece ka vijuar të rrisë tarifat, të cilat tani janë mbi 66% më të larta se niveli para pandemisë Covid-19. Ryanair thotë se për këtë arsye aeroportet greke nuk janë më konkurruese gjatë sezonit dimëror dhe periudhave ndërmjetëse turistike.
Programi i reduktuar i Ryanair për dimrin 2026 në Greqi parashikon largimin e tre avionëve nga baza e Selanikut, uljen me 700 mijë vende, heqjen e 12 linjave dhe pezullimin e operimeve në aeroportet e Hanias dhe Heraklionit gjatë sezonit të ulët turistik.
Linjat që preken përfshijnë fluturimet nga Selaniku drejt Berlinit, Hanias, Frankfurt-Hahn, Goteborgut, Heraklionit, Niederrhein, Poznanit, Stokholmit, Venecia-Treviso dhe Zagrebit, si dhe linjat Athinë–Milano Bergamo dhe Hania–Pafos.
Drejtori tregtar i Ryanair, Jason McGuinness, tha se mbyllja e bazës në Selanik dhe shkurtimet në Athinë do të sjellin humbjen e 700 mijë vendeve dhe 12 linjave në të gjithë Greqinë. Ai shtoi se tre avionët do të zhvendosen drejt Shqipërisë, Italisë rajonale dhe Suedisë, ku, sipas kompanisë, aeroportet kanë përcjellë te pasagjerët uljet fiskale të qeverive përkatëse.
Sipas Ryanair, Greqia ka mundësi të rrisë trafikun ajror gjatë gjithë vitit, por kjo mund të ndodhë vetëm nëse ulja e taksave reflektohet plotësisht në tarifat që paguajnë kompanitë ajrore dhe pasagjerët.
Lini një Përgjigje