
Kësaj radhe, “fshati i sulmuar” është Ukraina, dhe “Kalvera” mund të shihet në figurën e Vladimir Putinit, ose, sipas disa analistëve, edhe në hijen e Donald Trumpit...
Filmi klasik i vitit 1960, “The Magnificent Seven” (“Shtatë të madhërishmit”), rrëfen historinë e një fshati të varfër meksikan, të sulmuar vazhdimisht nga banda e banditit Kalvera, që grabiste ushqimet dhe pasurinë e tyre të mjerë. Për të mbijetuar, fshatarët vendosën të thërrisnin ndihmë nga jashtë dhe gjetën shtatë pistoletarë që pranuan sfidën për arsye të ndryshme, nder, drejtësi, fitim apo shpagim personal. Filmi u bë një nga ikonat e western-it, me aktorë si Yul Brinner, Steve McQueen e James Coburn, dhe mbeti në histori edhe për kolonën zanore të paharrueshme. Në fakt, ai ishte një version amerikan i kryeveprës japoneze “Shtatë samurajët” të Akira Kurosawa-s.
Sot, në skenën ndërkombëtare, kjo metaforë po ringjallet. Shtatë liderë europianë, Ursula von der Leyen, Keir Starmer, Emmanuel Macron, Frederich Merz, Giorgia Meloni, Mark Rutte dhe Alexander Stubb, shoqëruan Volodymyr Zelenskyn në vizitën e tij të fundit në Uashington. Media si Politico.eu nuk ngurruan të bënin krahasimin: shtatë “pistoleros” të rinj në mbrojtje të Ukrainës.
Kësaj radhe, “fshati i sulmuar” është Ukraina, dhe “Kalvera” mund të shihet në figurën e Vladimir Putinit, ose, sipas disa analistëve, edhe në hijen e Donald Trumpit. Qëllimi i misionit ishte i qartë: të parandalonte që Ukraina të imponohej me kushte paqeje poshtëruese dhe të tregonte se Perëndimi mbetet i gatshëm të mbrojë Kievit në frontin diplomatik.
Zelensky u kthye i padëmtuar në Kiev dhe, sipas komenteve ndërkombëtare, falë “Shtatë të madhërishmit” u arrit të hapej një dritare e re për dialogun. Historia vazhdon, por pyetja mbetet: kush do të fitojë betejën e fundit, dhe cili do të jetë “fund filmi” i kësaj lufte? /Përshtatur nga “Corriere Della Sera”
Lini një Përgjigje