TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 2 Maj 2025, 15:45

Sërish në pragun e luftës, pikat e forta dhe të dobëta të ushtrive të Indisë dhe Pakistanit

Shkruar nga Paolo Mauri

Sërish në pragun e luftës, pikat e forta dhe të dobëta

Balanca e fuqisë është e ndryshme në lidhje me arsenalin bërthamor dhe sistemet e tij të shpërndarjes, ndonëse ka dallime të thella midis Indisë dhe Pakistanit në lidhje me tipologjinë e tyre...

India dhe Pakistani, janë dy vende fqinje me një rivalitet historik, që i ka çuar ato në 4 konflikte dhe përplasje të panumërta kufitare që nga viti 1947. Nisur nga ajo që po ndodh në rajonin e kontestuar të Kashmirit dhe përshkallëzimit të përgjithshëm të raporteve midis Nju Delhit dhe Islamabadit, është interesante të analizohet potenciali luftarak i dy rivalëve aziatikë.

Ushtria indiane ka një personel prej 2.148.000 personash, nga të cilët 1.248.000 janë në shërbim aktiv dhe 900.000 rezervistë. Ndërsa ushtria pakistaneze, ka një personel prej 1.295.000 personash, nga të cilët 560.000 janë në shërbim aktiv dhe 735.000 rezervistë.

Nju Delhi nuk ka asnjë avion me krahë të fiksuar, ndërsa Islamabadi ka 249 të tillë, kryesisht (214) të modelit MFI-17 me një motor dhe helikë. Sa i përket helikopterëve, Pakistani ka 92 helikopterë sulmues (AH-1, Mi-35, Z-10, Fennec), ndërsa India ka 80 helikopterë sulmues, Rudra dhe Prachand.

Sa i përket avionëve të transportit, ushtria indiane ka në inventar 258, ndërsa ajo  pakistaneze 222. Nju Delhi dominon disi në numrin e dronëve, me 355 të tillë të llojeve të ndryshme, por kryesisht për mbikëqyrje dhe zbulim.

Nga ana tjetër, ushtria pakistaneze ka 300 të tilla, përfshirë disa dronë sulmues. Në përgjithësi, India ka një ushtri më të mirë-pajisur sesa rivali i saj. Nju Delhi ka 3.854 tanke, 4326 transportues të blinduar, 219 MLRS (sisteme raketash me lëshim të shumëfishtë), 1200 automjete mbështetëse dhe 10.000 automjete logjistike, 4875 copë artilerie të tërhequra nga mjetet e tjera dhe vetëm 100 artileri vetëlëvizëse.

Ndërkohë Pakistani zotëron 2.617 tanke të llojeve të ndryshme, 3.025 transportues të blinduar, 520 sisteme raketore MLRS, 2.629 pjesë artilerie të rimorkuara, 662 topa vetëlëvizës, 1.000 automjete mbështetëse dhe 8.000 automjete logjistike.

India është përpara Pakistani edhe nga pikëpamja e marinës. Marina Indiane ka një personel prej 142.000 personash, nga të cilët 67.252 janë në detyrë aktive dhe 75.000 janë rezervistë. Forcat detare indiane, përbëhen nga 2 aeroplanmbajtëse, 3 nëndetëse bërthamore, 17 nëndetëse tradicionale, 13 anije luftarake amfibe, 13 destrojerë, 14 fregata, 18 korveta, 10 anije patrullimi në det të hapur dhe 114 anije patrullimi bregdetare, 3 minahedhëse, 4 anije me raketa të drejtuara dhe 95 anije ndihmëse.

Ndërkohë marina pakistaneze, me një personel 40.000 trupa (30.000 në shërbim dhe 10.000 në rezervë, nuk ka aeroplanmbajtëse, anije destrojer apo nëndetëse bërthamore, por vetëm 5 nëndetëse tradicionale, 3 anije luftarake amfibe, 9 fregata, 9 korveta dhe 65 anije patrullimi bregdetare.

Edhe aviacioni indian është më i strukturuar, me rreth 40 avionë që ndodhen gjatë gjithë kohës tek 2 aeroplanmbajtëset (MiG-29), 20 helikopterë sulmues dhe 85 helikopterë transporti. Pastaj zotëron dhjetëra avionë të tjerë për mbikëqyrje dhe patrullim.

Forcat Ajrore të Pakistanit, nuk kanë asnjë avion të pozicionuar në ndonjë anije, por vetëm 6 helikopterë sulmues plus 30 helikopterë transporti. Ka vetëm 11 anije patrullimi, 60 dronë dhe 4 avionëve me krahë të fiksuar për qëllime të tjera.

Hendeku numerik por edhe cilësor midis dy vendeve rivale, ndihet edhe në aviacionin luftarak. Forcat Ajrore Indiane kanë më shumë se 310.000 personel, nga të cilët 170.000 janë në shërbim aktiv (140.000 në rezervë).

Nju Delhi zotëron 440 avionë shumëfunksionalë, ku më modernët janë 36 “Rafale” francezë dhe 259 avionë rusë Su-30MKI. Po ashtu, ka 63 helikopterë sulmues, 447 helikopterë transporti, 14 avionë për luftën elektronike, 6 avionë mbikëqyrës, 276 avionë transporti, si dhe 10 avionë për misione speciale dhe afro 150 dronë.

India e tejkalon Pakistanin edhe në sistemet e mbrojtjes ajrore. Ajo ka 48 sisteme me rreze të gjatë veprimi, 144 sisteme me rreze të mesme veprimi, 341 sisteme me rreze të shkurtër veprimi, dhe 2.000 njësi artilerie kundërajrore të llojeve të ndryshme.

Sa për krahasim Pakistani ka përkatësisht 60, 78, 136 dhe 1,000.

Megjithatë, balanca e fuqisë është e ndryshme në lidhje me arsenalin bërthamor dhe sistemet e tij të shpërndarjes, ndonëse ka dallime të thella midis Indisë dhe Pakistanit në lidhje me tipologjinë e tyre.

Në fakt, Nju Delhi është i vetmi që ka në shërbim raketa balistike ndërkontinentale (ICBM) (12) dhe raketa balistike ndërkontinentale (IRBM) (20), por Islamabadi e tejkalon atë në lëshuesit e raketave me rreze të mesme dhe të shkurtër veprimi.

Produkti i Brendshëm Bruto i Indisë është rreth 4.2 trilionë dollarë, ndërsa ai i Pakistanit është 340 miliardë dollarë. Por potenciali industrial i Indisë konsiderohet i fortë, ndërsa ai i Pakistanit i dobët. India ka rezerva të moderuara të uraniumit, kromit dhe bakrit, teksa ka rezerva të mëdha të hekurit, aluminit dhe qymyrit.

Nga ana tjetër Pakistani, ka rezerva të vogla uraniumi, hekuri, alumini dhe qymyri. Rezervat e kromit janë të moderuara ndërsa ato të bakrit janë të mëdha. Aftësitë e Indisë për luftë kibernetike janë të mira dhe efikase, ndërsa ato të Pakistanit janë ende në proces strukturimi dhe varen nga mbështetja kineze.

Po ashtu, aftësitë hapësinore të Indisë janë të fuqishme me 50 satelitë ushtarakë autonomë, ndërsa ato të Pakistanit janë pothuajse inekzistente dhe varen nga ndihma e Kinës. Aftësitë e shërbimeve sekrete indiane konsiderohen të mira (rrjeti dhe teknologjia), ndërsa ato të Pakistanit janë të mira në luftën hibride, por jo në teknologji.

Meqë fitimi i një lufte kërkon 3 elementë kryesorë: logjistikë, logjistikë dhe logjistikë, rrjeti indian është shumë më kompleks dhe i përhapur sesa ai pakistanez dhe mbi të gjitha mund të mbështetet tek një numër shumë më i madh avionësh transporti.

Rezervat e vlerësuara të karburantit, mund t’i garantojnë Indisë deri në 100 ditë luftime pa furnizime të jashtme, ndërsa Pakistanit vetëm 20. Në përgjithësi, vlerësohet se India ka mundësi të përballojë operacione intensive lufte për 2-6 muaj, ndërsa Pakistani për 14 ditë deri në 2 muaj.

Mbi të gjitha, India ka burime të pakufizuara ujore që i lejojnë asaj të jetë e vetëmjaftueshme nga pikëpamja bujqësore, ndërsa Pakistani varet nga India për furnizimin me ujë, dhe për pasojë disa sektorë të bujqësisë mund të vuajnë jo pak.

Së fundmi, India ka rreth 470 milionë njerëz në moshë ushtarake, ndërsa Pakistani vetëm 60 milionë, dhe mbi të gjitha ka një shpejtësi mobilizimi më të shpejtë se rivali i saj: 4 deri në 6 javë krahasuar me 8-12 javë të Islamabadit. /Përshtati "Pamfleti" nga “Inside Over”

Lini një Përgjigje