TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 2 Maj 2025, 14:15

Triliona dollarë investime, cilët janë “partnerët” e rinj të Trumpit pas ftohjes me Evropën

Shkruar nga Paolo Rossetti
Triliona dollarë investime, cilët janë
Donalf Trump me partnerët arabë

Duke luftuar me gjysmën e botës për çështjen e tarifave, Trump ka nevojë për aleatë të besueshëm, dhe vendet e Gjirit Persik kanë shumë para për të investuar...

Arabia Saudite ka premtuar 600 miliardë dollarë investime në SHBA. Dhe amerikanët mund ta ndihmojnë Riadin në zhvillimin e energjisë bërthamore. Përveç kësaj, Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, është takuar së fundmi me kryeministrin e Katarit, Al Thani, për të folur për Gazën, por edhe për të forcuar investimet.

Edhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë në plan të investojnë të paktën 1.4 trilionë dollarë në SHBA gjatë 10 viteve të ardhshme. Pra vendet e Gjirit janë gati të bëhen ndër aleatët më të rëndësishëm të Trump.

Në një botë ku, për shkak të tarifave tregtare, SHBA-ja po përplaset gati me të gjithë, Rony Hamaui, profesor i shkencave bankare në Universitetin Katolik të Milanos dhe ekspert në ekonominë dhe financat islame, thotë se këto vende janë të destinuara të bëhen aleate të vlefshme nga pikëpamja politike dhe financiare e administratës amerikane. Nuk është aspak rastësi, që udhëtimi i parë zyrtar jashtë vendit i presidentit të ri të SHBA-së, do të jetë pikërisht në Gjirin Persik.

Trump do të shkojë së shpejti në Lindjen e Mesme dhe destinacioni i tij i parë do të jenë vendet e Gjirit. Pse janë kaq të rëndësishme për të?

Në aspektin tregtar, Trump ka hapur një luftë me botën, por po e kupton se s’mund të mbetet në konflikt me të gjithë. Ai ka nevojë për aleatë, dhe më të përshtatshmet për të janë vendet arabe. Duke qenë autokraci ato garantojnë vendimmarrje të shpejta, janë shumë të pasura dhe të fuqishme, dhe luajnë një rol vendimtar në sektorin e energjisë, një sektor për të cilin presidenti i SHBA-së kujdeset shumë.

Janë aleate që mund ta ndihmojnë SHBA-në vetëm ekonomikisht?

Jo vetëm kaq. Ato janë të nevojshme për të mbajtur nën kontroll Iranin, për të zbatuar Marrëveshjet e Abrahamit me Izraelin, si dhe në marrëdhëniet me Rusinë. Trumpit nuk i pëlqen shumë OPEC Plus, pjesë e të cilit është Moska. Ai do të donte ta zgjidhte edhe këtë problem.

Nuk është rastësi që negociatat bërthamore me Iranin filluan në Oman, apo që destinacioni i udhëtimit të parë zyrtar të Trump jashtë SHBA-së është Arabia Saudite. Unë nuk jam dakord me një zgjedhje të tillë nga një këndvështrim etiko-politik, por për një person pragmatik si presidenti i SHBA-së, kjo është zgjedhja më e mirë.

Cili është pazari midis SHBA-së dhe vendeve të Gjirit? Çfarë marrin dhe çfarë japin?

Në gjeopolitikën botërore, cilësohen si një rajon me rëndësi vendimtare, një udhëkryq midis Lindjes dhe Perëndimit. Pastaj, janë jashtëzakonisht të pasura, jo shumë të populluara, ku konsumohet shumë dhe prodhohet pak. Trump mendon se vendet e tjera duhet të investojnë në Shtetet e Bashkuara, dhe në këtë rajon ka male me para, të cilat askush nuk e di se ku t'i investojë. Për këto vende, dollari është një monedhë e rëndësishme, ndaj së cilës ato nuk kanë alternativa të vërteta.

Pra Trump po fokusohet tek vendet e Gjirit kryesisht për forcën e tyre financiare?

Jo vetëm kaq, por edhe për politikën. Për të, këto vende janë aleatet më të lehta. Ai ka përjashtuar si aleate Evropën, të cilën as nuk e do dhe as nuk e kupton, dhe as Azinë, sepse ajo është rivalja e tij e tij e madhe. Pastaj po kthehet tek këto vende. Pastaj, është shumë i interesuar për sektorin e energjisë, sepse Amerika është bërë një prodhuese e madha. Ai nuk mund të krijojë me ta një OPEC amerikan, por më në

fund po i afrohet edhe shoqatës së prodhuesve të naftës.

A ka ndonjë vend me të cilin do të bëjë më shumë biznes sesa me të tjerët?

Trump është i interesuar për vendet më të mëdha: Arabia Saudite është udhëheqësja

e myslimanëve sunitë. Ajo ka një rol strategjik, dhe ka qenë gjithmonë aleate e amerikanëve, të cilët nuk duan që Riadi të përfundojë në orbitën e rusëve dhe kinezëve.

Njëkohësisht me rifillimin e bisedimeve bërthamore me Teheranin, kanë rinisur kontaktet midis Arabisë Saudite dhe Iranit. A po ndihmon Riadi në zgjidhjen e kësaj mosmarrëveshje?

Sigurisht. Çdo marrëveshje në këtë zonë nuk mund të zgjidhet pa Arabinë Saudite. Fjalën e kam për kontrollin e energjisë bërthamore iraniane, por edhe për rindërtimin e Gazës.

Ndërkohë, Emiri i Katarit u takua me Putinin në Moskë. Ndërsa Rusia dhe SHBA-të po ringjallin lidhjet midis tyre, a mund të hapet aleanca SHBA-Gjiri Persik ndaj një trekëndëshi?

Trump nuk bën shumë dallim midis vendeve demokratike dhe autoritare, dhe Rusia është gjithashtu një prodhuese e madhe e energjisë. Në shumë aspekte, edhe pse jo tërësisht, është e ngjashme me vendet arabe.

Si përfshihet Izraeli në këtë aleancë?

Për Trumpin, kjo situatë do t’i sjellë dobi edhe Izraelit, me më shumë Marrëveshje të Abrahamit. Le të mos harrojmë se lufta në Gaza, nisi edhe për ta penguar Arabinë Saudite të nënshkruante këto marrëveshje. Shumë analistë kanë argumentuar se sulmi i Hamasit kishte këtë synim.

Sa i përket çështjes palestineze, kemi parë se si Abu Mazen ka ndryshuar mendje për Hamasin: ai i quajti ata “këlyshë qensh”, fyerja më e keqe që mund t’i bëhet një personi nga ana e arabëve. Ndoshta kjo është edhe arsyeja pse jemi më afër një zgjidhjeje për Gazën sesa mendojmë./ Përshtati "Pamfleti" Nga “Il Sussidiario”

Lini një Përgjigje