SHBA pretendon se vrau liderin Nino Guerrero. Organizata kontrollonte rrjete trafiku migrantësh, droge dhe njerëzish në disa vende të rajonit, ndërsa qendrën operative e kishte ngritur brenda një burgu në Venezuelë…
SHBA-ja njoftoi se eliminoi Nino Guerrero-n me një sulm ajror, duke e çuar drejt shpërbërjes organizatën më të madhe kriminale në historinë e Venezuelës, me më shumë se 4.000 anëtarë. Aktiviteti i saj përqendrohej kryesisht në kontrabandën e migrantëve dhe trafikun e drogës, duke shfrytëzuar valën e emigracionit nga Venezuela dhe duke krijuar struktura të ngjashme me “franshiza” kriminale në Kili dhe Kolumbi.
“E eliminuam Nino Guerrero-n, kreun e bandës më gjakatare në planet!”. Këto ishin fjalët e Donald Trump në një postim të bërë sot lidhur me goditjen ndaj liderit të “Tren de Aragua”, organizatës më të madhe kriminale në Venezuelë dhe një prej më të fuqishmeve në Amerikën Latine.
Sipas presidentit amerikan, Komanda Jugore e Forcave të Armatosura të SHBA-së (SOUTHCOM), përgjegjëse për Amerikën Latine dhe Karaibet, kreu një sulm ajror për të vrarë “Nino Guerrero-n, liderin famëkeq të Tren de Aragua, një prej organizatave terroriste më të përgjakshme në botë”. Trump publikoi gjithashtu një video të operacionit.
Ai deklaroi se operacioni ushtarak u koordinua ngushtë me autoritetet venezueliane.
“Si rezultat, terroristët e Tren de Aragua nuk kanë më strehë të sigurt në Venezuelë apo kudo tjetër. Do t’i gjejmë këta vrasës dhe baronë droge kudo dhe kurdo që të jenë dhe do t’i çojmë atje ku e kanë vendin”, shkroi Trump.
Çfarë është banda venezueliane “Tren de Aragua”
“Tren de Aragua” është organizata kriminale më e fuqishme në Venezuelë dhe e vetmja bandë e vendit që arriti të krijojë prani të qëndrueshme jashtë kufijve kombëtarë. Ajo nisi si një grup i vogël brenda burgjeve dhe u shndërrua në një kërcënim ndërkombëtar me një gamë të gjerë aktivitetesh kriminale. Deri para goditjes së njoftuar nga SHBA-ja, organizata drejtohej nga Hector Rustherford Guerrero Flores, i njohur si “Nino Guerrero”.
Nën drejtimin e tij, burgu Tocorón u bë një nga institucionet më famëkeqe të vendit. Kjo lidhej me praktikën jozyrtare të autoriteteve venezueliane për t’u lënë kontrollin e disa burgjeve drejtuesve të grupeve kriminale, me qëllim shmangien e trazirave. Falë kësaj lirie veprimi dhe të ardhurave të organizatës, brenda burgut u ndërtuan kopsht zoologjik, pishinë, kënd lojërash, restorant dhe klub nate.
Pasi konsolidoi kontrollin brenda Tocorón-it, “Tren de Aragua” nisi zgjerimin e ndikimit të saj. Fillimisht veproi në lagjen San Vicente, ku vendosi kontroll të fortë social dhe, sipas raportimeve, përfitoi edhe mbështetje përmes programeve shtetërore. Disa banda lokale në shtetin Aragua lidhën marrëveshje mosagresioni me organizatën.
Në vitet që pasuan, grupi u zgjerua në shtete të tjera të Venezuelës përmes aleancave me organizata më të vogla kriminale, duke siguruar prani në të paktën pesë shtete të rëndësishme të vendit. Aktivitetet e tij përfshinin:
zhvatje;
rrëmbime;
trafikim njerëzor për shfrytëzim seksual;
kontrabandë migrantësh;
kontrabandë mallrash;
nxjerrje të paligjshme mineralesh;
shpërndarje droge;
krime kibernetike;
vjedhje
Si përfitoi nga emigracioni masiv venezuelian
Zgjerimi ndërkombëtar i “Tren de Aragua” filloi rreth vitit 2018, kur organizata u përpoq të vendosej në zonën kufitare mes Venezuelës dhe Kolumbisë, midis shtetit venezuelian Táchira dhe departamentit kolumbian Norte de Santander. Atje u përball me grupe të fuqishme kriminale kolumbiane, përfshirë Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare (ELN) dhe AGC. Këto organizata luftonin për kontrollin e kalimeve të paligjshme kufitare, të njohura si trochas, të përdorura për trafik droge, kontrabandë dhe lëvizje të paligjshme migrantësh.
“Tren de Aragua” krijoi një bazë në qytetin kufitar kolumbian La Parada, ku mbërrinin për herë të parë shumë venezuelianë që largoheshin nga vendi i tyre. Organizata pa një mundësi fitimi te dëshpërimi i bashkatdhetarëve të saj. Ndërsa grupet kryesore kriminale kolumbiane fokusoheshin te trafiku i drogës, “Tren de Aragua” nisi të shfrytëzonte sistematikisht migrantët venezuelianë, duke i zhvatitur, kontrabanduar dhe duke marrë kontrollin e pjesëve të tregut të trafikimit seksual.
Mes viteve 2018 dhe 2023, organizata krijoi një rrjet kriminal ndërkombëtar me degë në Kolumbi, Peru dhe Kili, ndërsa raportime të tjera flasin për prani edhe në Ekuador, Bolivi dhe Brazil. Zgjerimi ndoqi rrjedhat migratore nga Venezuela dhe për një kohë kaloi pothuajse pa u vënë re, sepse grupi përqendrohej kryesisht te komunitetet venezueliane të emigrantëve.
Me forcimin e degëve të saj jashtë vendit, organizata depërtoi në ekonomitë kriminale lokale dhe përdori dhunë të dukshme për të larguar grupet rivale. Përveç zhvatjes dhe kontrabandës së migrantëve, degët e “Tren de Aragua” kontrollonin rrjete huadhënieje të paligjshme, shpërndarje droge, rrëmbime, trafik ndërkombëtar droge në shkallë të kufizuar, trafikim njerëzor dhe grabitje.
Secila degë specializohej në aktivitete të ndryshme sipas kushteve lokale. Me rritjen e dhunës, qeveritë e vendeve ku vepronte organizata nisën operacione të gjera kundër saj. Në shtator 2023, autoritetet venezueliane rimorën kontrollin e burgut Tocorón, bastionit historik të grupit, ndërsa forcat e sigurisë në Kili, Peru dhe Kolumbi zhvilluan operacione të mëdha kundër anëtarëve të saj.
Shtëpia e Bardhë ka përmendur edhe Ligjin për Armiqtë e Huaj të vitit 1798, duke pretenduar se “Tren de Aragua” ka depërtuar në territorin amerikan me mbështetjen e regjimit të Nicolás Maduro-s. SHBA-ja ka dëbuar qindra venezuelianë drejt Salvadorit, duke i lidhur me organizatën kriminale, shpesh pa paraqitur prova konkrete publike për këto akuza.
Kush ishte Nino Guerrero
Hector Rustherford Guerrero Flores, i njohur si “Nino Guerrero”, konsiderohej lideri i organizatës dhe thuhet se e drejtonte atë nga burgu Tocorón deri në shtator 2023. Ai u arratis para operacionit të rimarrjes së burgut, pasi, sipas organizatave të shoqërisë civile në Venezuelë, ishte paralajmëruar paraprakisht. Vendndodhja e tij mbeti e panjohur deri në njoftimin e Donald Trump për vrasjen e tij.
Sipas të dhënave të Gjykatës së Lartë të Venezuelës, Guerrero nisi aktivitetin kriminal në vitin 2005, kur vrau një efektiv policie në Aragua. Ai u burgos për herë të parë në Tocorón në vitin 2010, por u arratis dy vjet më vonë. Pas rikapjes dhe kthimit në burg në vitin 2013, ai konsolidoi “Tren de Aragua” së bashku me bashkëpunëtorët e tij më të afërt, mes tyre Larry Amaury Álvarez, i njohur si “Larry Changa”, dhe Johan Jose Guerrero, i njohur si “Johan Petrica”.
Álvarez u arratis nga Tocorón në vitin 2015 dhe në vitin 2018 mbërriti në Kili për të drejtuar zgjerimin e organizatës në atë vend. Kur policia kiliane nisi hetimet ndaj tij në vitin 2022, ai u zhvendos në Kolumbi. Në korrik 2024 u arrestua në departamentin Quindío.
Ndërkohë, Johan Petrica drejtoi një grup të fuqishëm të nxjerrjes së paligjshme të arit në Las Claritas, në jug të shtetit Bolivar. Disa raportime sugjerojnë se Nino Guerrero mund të ishte fshehur me të pas operacionit në Tocoron.
Pse organizata po humbte ndikimin
“Tren de Aragua” ishte grupi i parë kriminal venezuelian që u shtri në të gjithë Amerikën e Jugut, duke u konsideruar një kërcënim për sigurinë rajonale. Megjithatë, zgjerimi i saj ndërkombëtar u ngadalësua ndjeshëm pas humbjes së bazës kryesore në Tocoron dhe arrestimit të disa drejtuesve të lartë në Kolumbi.
Forcat e sigurisë në Kolumbi, Kili dhe Peru kanë arrestuar qindra anëtarë që nga viti 2022. Këto goditje kanë çuar në fragmentimin e organizatës, e cila sot funksionon më shumë si një rrjet degësh të shpërndara sesa si një strukturë e centralizuar.
Ndryshimi i flukseve migratore ka ndikuar gjithashtu në të ardhurat e grupit. Emigracioni masiv i venezuelianëve mes viteve 2018 dhe 2022 krijoi kushtet që organizata të fitonte kontroll mbi rrjetet e kontrabandës dhe trafikimit. Por zhvendosja e rrugëve migratore drejt SHBA-së, përmes Amerikës Qendrore, uli fitimet e saj, ndërsa korridoret kryesore të kontrabandës kontrolloheshin tashmë nga organizata të tjera kriminale më të fuqishme. Për pasojë, “Tren de Aragua” nuk arriti të zgjerohej në atë treg kriminal. /Pamfleti/
Lini një Përgjigje