
Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Amnesty International, ka bërë një thirrje të fortë për një bojkot global ndaj Izraelit, duke akuzuar autoritetet izraelite për një fushatë sistematike “spastrimi etnik” dhe aneksimi të paligjshëm të Bregut Perëndimor të pushtuar.
Shefja e Amnesty International, Agnès Callamard, deklaroi se dhuna ndaj komuniteteve palestineze dhe zhvendosja e tyre me forcë nuk janë veprime të izoluara të disa kolonëve ekstremistë, por pjesë e një projekti të planifikuar dhe të mbështetur plotësisht nga shteti izraelit.
“Ajo që po shohim është aneksim i qëllimshëm, i udhëhequr nga shteti, në shkelje të plotë të ligjit ndërkombëtar, që po zhvillohet para syve të të gjithë botës. Këto abuzime nuk janë rezultat i disa ‘mollëve të këqija’. Dhuna e kolonëve është një komponent kryesor i një fushate të sanksionuar nga shteti për spastrim etnik” tha Callamard.
Sipas një raporti të ri të gjerë të publikuar nga Amnesty, gjatë tre viteve e gjysmë të fundit autoritetet izraelite kanë përshpejtuar zhvendosjen me forcë të komuniteteve beduine dhe baritore palestineze në Zonën C të Bregut Perëndimor, duke përdorur dhunën e kolonëve, shkatërrimin e shtëpive dhe kufizime të rrepta si mjete për të krijuar kushte që detyrojnë palestinezët të largohen. Organizata e konsideron këtë si krim kundër njerëzimit.
Amnesty kërkon nga shtetet anëmbare të komunitetit ndërkombëtar që të ndalojnë menjëherë çdo tregti, investim apo bashkëpunim që kontribuon në okupimin e paligjshëm, apartheidin dhe spastrimin etnik. Thirrja përfshin sanksione të synuara ndaj zyrtarëve izraelitë të lartë, duke përfshirë Kryeministrin Benjamin Netanyahu.
Zëdhënës të qeverisë izraelite e kanë hedhur poshtë raportin e Amnesty si të njëanshëm dhe të pabazuar, duke e konsideruar atë si pjesë të një narrative anti-izraelite të organizatës.
Lini një Përgjigje