TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 3 Nëntor 2025, 08:07

SHBA i la në 'baltë', Evropa në udhëkryq; a mund ta ndihmojë e vetme Ukrainën? 

Shkruar nga Pamfleti
SHBA i la në 'baltë', Evropa në udhëkryq; a mund
Volodymyr Zelensky dhe Von der Leyen

Në 3 vitet e para pas agresionit të plotë ndaj Ukrainës, Europa dhe Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur vazhdimisht qeverinë e Kievit me ndihma: 74 miliardë euro në 2022-in, 79 miliardë në 2023-in dhe 89 miliardë vitin e kaluar, sipas të dhënave të Kiel Institute for International Economics.

Mbështetja amerikane ka qenë pak më e lartë se ajo e Europës.

Tanimë, Shtetet e Bashkuara kanë ndërprerë çdo formë ndihme, duke lënë Evropën të vetme për të mbështetur buxhetin e Kievit. Për vitin e ardhshëm, nuk është ende e qartë se si do të mbulohet një mungesë prej të paktën 60 miliardë eurosh.

Ideja e fitores
Çfarëdo strategjie që qeveritë e Bashkimit Europian kanë për zgjidhjen e konfliktit, lidhet drejtpërdrejt me këtë dilemë financiare.

Në thelb, në lojë është besueshmëria e konceptit të vetëm të mbetur të fitores për qeverinë ukrainase dhe aleatët e saj: të qëndrojnë në vijën e frontit aq gjatë dhe me një kosto kaq të madhe për Rusinë, qoftë njerëzore, sociale, financiare dhe politike, sa të detyrojnë Vladimir Putinin të tërhiqet.

Territoret dhe e ardhmja në BE
Ukraina do të dalë e dëmtuar nga lufta, pa kontroll në mbi një të pestën e territorit të saj dhe me të paktën 100 mijë viktima mes ushtarëve dhe civilëve, por e lirë, e pavarur dhe në gjendje të zgjedhë qeverinë dhe rrugën drejt Bashkimit Europian. Për ta bërë këtë, vendi duhet të rezistojë. Dhe për të rezistuar, Ukraina ka nevojë për burimet e duhura!

Oleksandr Kamyshin, këshilltar i Volodymyr Zelensky-t për riarmatosjen, thotë se industria ukrainase e mbrojtjes punon sot vetëm me një të tretën e kapacitetit të saj për shkak të mungesës së fondeve. Për këtë arsye, përdorimi i rezervave të ngrira të Rusisë, të paktën 140 miliardë euro, bëhet kyç për të ardhmen e luftës.

Shfrytëzimi i këtyre fondeve do t’i japë Putinit mesazhin se Ukraina do të vazhdojë të luftojë për të paktën 2 vite të tjera, ndërsa ekonomia dhe buxheti rus dobësohen dhe ushtria humb mbi 350 mijë njerëz në vit.

Qëndrime të ndryshme në Evropë
Gjermania, vendet nordike dhe shumica e vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore janë të vendosura të përdorin këto fonde për Ukrainën në formë huaje. Italia dhe Franca e mbështesin këtë, por me mëdyshje, duke u shqetësuar për përgjegjësinë financiare nëse një gjykatë ndërkombëtare e shpall të paligjshme përdorimin e rezervave ruse.

Belgjika kundërshton për të njëjtën arsye, pasi pjesa më e madhe e këtyre mjeteve ndodhen në platformën Euroclear në Bruksel. (Euroclear është një platformë ndërkombëtare për menaxhimin dhe transferimin e titujve financiarë, me seli në Belgjikë)

Tërheqja e të ardhurave për Moskën
Vendimi pritet të merret në Këshillin Europian më 18 dhjetor dhe mund të ndikojë gradualisht në balancën e konfliktit.

Lufta nuk është e qëndrueshme as për Kremlinin: sanksionet e reja amerikane mbi naftën mund të zvogëlojnë më tej të ardhurat e Rusisë, sidomos nëse Kina nuk do të blejë të gjithë sasinë. Ekonomia ruse mbetet e dobët, inflacioni po rritet dhe sipas studimeve, sanksionet kanë funksionuar…

Putini nuk mund të vazhdojë me agresionin pa fund, veçanërisht nëse Evropa është e vendosur ta ndalojë./ Corriere della Sera

ukraina be shba

Lini një Përgjigje