Ushtria amerikane thotë se objektiv i sulmeve është dobësimi i kapaciteteve ushtarake iraniane të përdorura kundër anijeve tregtare në Ngushticën e Hormuzit. Ndërkohë, media shtetërore iraniane raportojnë shpërthime në Bandar Abbas dhe aktivizimin e mbrojtjes ajrore pranë centralit bërthamor të Bushehrit.
Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara (CENTCOM) njoftoi se ka ndërmarrë një valë të re sulmesh ndaj Iranit, në kuadër të operacioneve që, sipas saj, synojnë të dobësojnë kapacitetet ushtarake iraniane të përdorura për sulme ndaj anijeve tregtare në Ngushticën e Hormuzit.
Në një deklaratë, CENTCOM tha se goditjet janë "projektuar për të degraduar më tej aftësitë ushtarake iraniane" që përdoren kundër lundrimit tregtar në këtë rrugë strategjike detare.
Nga ana tjetër, televizioni shtetëror iranian raportoi shpërthime në qytetin portual Bandar Abbas, ndërsa agjencia iraniane e lajmeve Mehr njoftoi se sistemet e mbrojtjes ajrore janë aktivizuar pranë centralit bërthamor të Bushehrit.
Ndërkohë, Arabia Saudite dënoi deklaratat e rebelëve Houthi, të cilët akuzuan Riadin për bllokadë ndaj Jemenit dhe njoftuan se do të pengojnë lundrimin drejt porteve saudite.
Në një deklaratë, Ministria e Jashtme saudite i cilësoi akuzat e Houthive si "të pabaza".
Lini një Përgjigje