Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi se avioni i dhuruar nga Katari, i cili po përdoret përkohësisht si Air Force One, do t’i nënshtrohet përmirësimeve të gjera gjatë javëve në vijim, duke lënë të kuptohet se aktualisht nuk është i pajisur me të gjitha sistemet e avancuara të sigurisë që kanë avionët presidencialë amerikanë.
Gjatë kthimit nga finalja e Kupës së Botës për Klube në Nju Xhersi, Trump u pyet nga gazetarët në bazën ajrore Andrews në Maryland për aftësitë e avionit të ri, pas raportimeve se ai nuk disponon të njëjtin nivel mbrojtjeje si Air Force One tradicional.
"Ka shumë aftësi, por, sipas dijenisë sime, pas rreth një muaji do ta dërgojnë për ta pajisur plotësisht", tha presidenti amerikan.
Trump shtoi se procesi i modernizimit do të zgjasë rreth një muaj, duke konfirmuar se nevojiten ndërhyrje shtesë për ta sjellë avionin në standardet e sigurisë që kërkohen për transportin e presidentit të SHBA-së, raportoi CNN.
Diskutimet mbi sigurinë e avionit janë intensifikuar pas publikimeve në media, sipas të cilave Air Force One i ri nuk ofron të njëjtin nivel mbrojtjeje si avionët e ndërtuar posaçërisht për presidentin amerikan.
Sipas CNN, administrata Trump reagoi ashpër ndaj raportimeve për mangësi të mundshme në siguri dhe nisi një hetim për të identifikuar personat që kishin rrjedhur informacionet në media. Në këtë proces thuhet se janë përfshirë shefja e stafit të Shtëpisë së Bardhë, Susie Wiles, dhe drejtori i FBI-së, Kash Patel.
Më shumë se një javë më parë, disa zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë u urdhëruan të dorëzonin telefonat e tyre celularë si pjesë e hetimit.
Gazeta The New York Times, e cila publikoi e para informacionet mbi çështjet e sigurisë së avionit, raportoi se katër gazetarë të saj kanë marrë thirrje zyrtare nga administrata amerikane në kuadër të hetimeve.
Shqetësimet për avionin, me një vlerë të vlerësuar rreth 400 milionë dollarë, u shtuan më herët gjatë këtij muaji, kur Trump vendosi papritur të mos e përdorte atë gjatë kthimit nga samiti i NATO-s në Turqi.
Në atë kohë, presidenti tha se ndryshimi ishte bërë për t'u dhënë mundësi ushtarakëve amerikanë të stacionuar në bazën Mildenhall në Britani të vizitonin avionin, duke hedhur poshtë pretendimet se vendimi lidhej me çështje sigurie.
Megjithatë, sipas burimeve të CNN, avioni i ri nuk disponon ende të gjitha sistemet mbrojtëse të nevojshme për misionet ndërkombëtare të presidentit amerikan. Burime të tjera, ndërkohë, pretendojnë se ai është i pajisur me shumë prej karakteristikave të Air Force One ekzistues.
Sipas raportimeve, zyrtarët e sigurisë vazhdojnë të preferojnë avionin e vjetër presidencial, i cili u projektua dhe u ndërtua që në fillim me fokus maksimal mbrojtjen e presidentit të Shteteve të Bashkuara. Në të kundërt, avioni i dhuruar nga Katari iu nënshtrua modifikimeve vetëm pasi iu transferua administratës amerikane.
Lini një Përgjigje