
Tensionet mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara janë rikthyer në qendër të vëmendjes, pasi Teherani akuzoi Uashingtonin për shkelje të armëpushimit të arritur më 18 qershor.
Në një deklaratë zyrtare, Ministria e Jashtme iraniane tha se sulmet ajrore të kryera nga SHBA-ja një ditë më parë përbëjnë një "shkelje të qartë" të memorandumit të mirëkuptimit mes dy vendeve.
"Sjellja e Shteteve të Bashkuara tregon edhe një herë se ky regjim nuk u përmbahet angazhimeve të tij dhe se shkelja e premtimeve është pjesë e natyrës së tij", thuhet në reagimin e autoriteteve iraniane.
Nga ana tjetër, Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) njoftoi se avionë të Marinës dhe Forcave Ajrore amerikane goditën 10 objektiva ushtarake iraniane në dhe pranë Ngushticës së Hormuzit. Sipas ushtrisë amerikane, operacioni erdhi si përgjigje ndaj një sulmi iranian kundër një anijeje tregtare që lundronte në atë zonë strategjike.
Pas bombardimeve amerikane, Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) deklaroi se kishte ndërmarrë kundërpërgjigje duke lëshuar raketa dhe dronë ndaj objekteve ushtarake amerikane në Bahrein dhe Kuvajt.
Në përfundim të deklaratës së saj, Ministria e Jashtme iraniane ritheksoi se vendi do të vazhdojë të mbrojë sovranitetin dhe integritetin e tij territorial përballë çdo veprimi ushtarak që e konsideron agresion.
Lini një Përgjigje