Autoritetet turke kanë arrestuar 178 persona me akuza për terrorizëm, vetëm pak ditë përpara zhvillimit të Samitit të NATO-s, raportoi agjencia shtetërore Anadolu, duke cituar Prokurorinë e Ankarasë.
Arrestimet vijnë pas një serie operacionesh të zhvilluara gjatë kësaj jave, në prag të samitit që do të mbahet më 7 dhe 8 korrik, ku pritet të marrin pjesë 32 liderë botërorë, mes tyre edhe presidenti amerikan Donald Trump.
Sipas Prokurorisë, nga 225 persona të ndaluar fillimisht, 178 janë arrestuar zyrtarisht, ndërsa 34 janë liruar me masa kufizuese. Procedurat për pjesën tjetër janë ende në zhvillim.
Ndërkohë, organizata turke Media and Law Studies Association (MLSA) bëri të ditur se mes të arrestuarve ndodhen gazetarë, akademikë, avokatë, sindikalistë, mësues, studentë dhe përfaqësues të tjerë të shoqërisë civile.
Autoritetet turke nuk kanë dhënë detaje të mëtejshme mbi identitetin e të arrestuarve apo akuzat konkrete ndaj tyre.
Lini një Përgjigje