
Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth, u gjend në vështirësi gjatë një seance dëgjimore të tensionuar në Senat, kur republikani Mitch McConnell e pyeti drejtpërdrejt se cilën palë dëshiron që ta fitojë në luftën në Ukrainë.
Shefi i Pentagonit e tha hapur se Rusia është vendi agresor, por nuk iu përgjigj drejtpërdrejtë pyetjes së senatorit.
“Siç e kemi thënë shumë herë, presidenti është i përkushtuar për paqen në këtë konflikt. Në fund të fundit, paqja është në interesin tonë kombëtar dhe ne besojmë se është në interes të të dyja palëve edhe pse një rezultat i tillë mund të mos jetë i pranueshëm për shumë njerëz në këtë sallë dhe në vendin tonë”, tha Hegseth.
Pyetjet me spec të McConnell nuk përfunduan këtu: Ai kërkoi më tej të dinte se cilën anë mbështet presidenti Kinez Xi Jinping, për të cilën Hegseth dha një përgjigje komplekse. Teksa kritikoi politikat e administratës së mëparshme, ai u duk se e pranoi në fund që Pekini ndoshta dëshiron një triumf të Moskës në këtë konflikt.
“Një gjë është e sigurt, ne nuk duam që titujt në fund të kësaj lufte të shkruhen ‘Rusia fitoi, Amerika humbi’”, insistoi nga ana e tij McConnell, i cili nënvizoi se në një kohë kur kundërshtarët e Amerikës po afrohen gjithmonë e më shumë me njëri-tjetrin, është e rëndësishme të ruhet pozicioni global.
Lini një Përgjigje