Shfarosja e Gazës, rruga drejt Izraelit të Madh dhe luftës me Kinën
Ka nisur zyrtarisht ofensiva e gjerë tokësore në Gaza City: qindra tanke izraelite, bombardime të pareshtura dhe përdorim i bombave zjarrvënëse mbi civilë, shumë prej tyre fëmijë. “Gaza po digjet”, deklaroi me entuziazëm ministri i Mbrojtjes Israel Katz, duke risjellë në kujtesë fundin e filmit Apocalypse Now, kur koloneli Kurtz përsërit: “Tmerri… tmerri”. Për Kurtz, ky ishte një fat i pashmangshëm mbi veten; për Katz, është një fat i pashmangshëm i imponuar mbi një popull tjetër.
Sulmit i parapriu vizita e Marco Rubio-s, Sekretar i Përkohshëm i Shtetit dhe Këshilltar i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, i dërguar për të treguar mbështetjen e administratës Trump ndaj genocidit në Gaza – dhe atij të planifikuar në Bregun Perëndimor. Trump zgjodhi Rubio-n, dhe jo besnikun e tij Witkoff, si sinjal se distancohej formalisht nga Tel Avivi, ndonëse në realitet kishte pranuar çdo kërkesë të Netanyahut. Vrasja e Charlie Kirk ka tronditur aq shumë presidentin amerikan, sa e ka kthyer në një figurë të pafuqishme ndaj presionit të Netanyahut, i cili tashmë e trajton hapur si të nënshtruar.
Rubio nuk e fshehu asnjëherë simpatinë për të djathtën izraelite. I pranishëm në inaugurimin e të ashtuquajturës “Rrugë e pelegrinazhit”, një tunel i gërmuar nën shtëpitë e palestinezëve pranë Qytetit të Vjetër të Jeruzalemit, që përfundon në themelet e Murit Perëndimor, Rubio legjitimoi, sipas organizatës Peace Now, sovranitetin izraelit mbi zonën më të ndjeshme dhe të shenjtë të qytetit, duke “shkelur idenë e Jeruzalemit si qytet i përbashkët për të gjitha besimet”.
Në të njëjtën kohë, Izraeli priti një delegacion të paparë prej 250 politikanësh amerikanë, të cilët do të qëndrojnë disa ditë për të forcuar lidhjet e pashmangshme me Tel Avivin. Para tyre, Netanyahu shfrytëzoi rastin për të hedhur akuza ndaj Evropës, Katarit dhe Kinës, duke i shpallur këto të fundit si pjesë të “kampanjës anti-izraelite”. Pa e përmendur hapur Pekinin, ai u bëri thirrje amerikanëve të “reflektojnë mbi rreziqet” që vijnë kur një fuqi e re sfidon një fuqi të konsoliduar, një paralajmërim klasik mbi “kurthin e Tukididit”.
Duke e quajtur Izraelin “Super-Sparta”, Netanyahu projektoi vendin e tij si pararojë të një beteje globale: nga shfarosja e palestinezëve dhe kërcënimet ndaj Iranit, deri te kryqëzata e re anti-kineze e përqafuar nga qarqet neokonservatore dhe liberalë në SHBA. Në fakt, për Netanyahun, genocidi palestinez është hallka e parë e një zinxhiri që synon hegjemoninë izraelite në Lindjen e Mesme dhe rolin kyç të Izraelit në përplasjen strategjike SHBA–Kinë.
Në këtë logjikë, Gaza nuk është veçse preludi i një vizioni më të madh: “Izraeli i Madh” që, i izoluar nga bota për shkak të brutalitetit, kthehet në një fuqi autarkike, por gjithnjë më të militarizuar, një “Sparta moderne” që e sheh luftën jo si mjet të përkohshëm, por si gjendje të përhershme ekzistence.
Nëse këto ambicie të çmendura nuk ndalen, horroret e sotme në Gaza janë vetëm parathënie e tragjedive të nesërme. /Përshtatur nga “Inside Over”
Lini një Përgjigje