Bota12 Shkurt 2024, 22:48

Si fiksimi pas historisë e nxiti Putinin të niste luftën më të përgjakshme në Evropë në 80 vitet e fundit!

Shkruar nga Jaroslav Trofimov
Si fiksimi pas historisë e nxiti Putinin të niste luftën më
Vladimir Putin

Kombi që Putin vazhdon ta cilësojë si “artificial”, po i reziston me guxim prej gati 2 vitesh përpjekjeve të Moskës për t'i dhënë fund pavarësisë së saj, duke arritur të çlirojë gjysmën e territorit që pushtoi në javët dhe muajt e parë. Por pikëpamjet historike të Putinit nuk janë unike për të...

Leksioni i gjatë mbi historinë evropiane i presidentit rus Vladimir Putin, i paraqitur gjatë një interviste 2-orëshe me Tucker Carlson disa ditë më parë, mund të jetë dukur misterioz dhe i panjohur për shumë shikues. 

Por ndërsa Putin rrëfente ngjarje të shekujve të kaluar, dhe nxirrte dokumente të shekullit XVII-të, ai po shpjegonte pikëpamjet e tij mbi të kaluarën, tejet të diskutuara nga historianët, që e kanë nxitur atë të niste konfliktin më të përgjakshëm të kontinentit që nga Lufta e Dytë Botërore.

Fiksimi i Putinit me historinë e Ukrainës dhe të popujve sllavë nuk është ndonjë gjë e re. Në vitin 2008, kur po zhvillonte një takim me ambasadorin e atëhershëm të SHBA-së në Moskë, William Burns, sot drejtor i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA), Putin ia shprehur hapur vizionit të tij.

“A nuk e dini ju se Ukraina nuk është një komb i vërtetë?”- e pyeti presidenti rus Burns-in.

Dhe veprimet e Putinit që nga ajo kohë - nga pushtimi fillestar i një pjese të Ukrainës në vitin 2014 dhe aneksimi i Krimesë, dhe deri tek lufta në shkallë të gjerë që Moska filloi në shkurt 2022 - burojnë që të gjitha nga ajo bindje.

Kombi që Putin vazhdon ta cilësojë si “artificial”, po i reziston me guxim prej gati 2 vitesh përpjekjeve të Moskës për t'i dhënë fund pavarësisë së saj, duke arritur të çlirojë gjysmën e territorit që pushtoi në javët dhe muajt e parë. Por pikëpamjet historike të Putinit nuk janë unike për të.

Ato i kanë rrënjët e thella në narrativën historike të Perandorisë Ruse, e cila i paraprin edhe Revolucionit Rus të vitit 1917. Vetë emri Ukrainë dhe shtypja e librave dhe gazetave në gjuhën ukrainase ishin të paligjshme në Rusi në atë kohë. Ukrainasit quheshin zyrtarisht “rusët e vegjël”.

Sipas drejtuesve të shërbimeve sekrete perëndimore, Putin kaloi shumë kohë gjatë pandemisë së Covid-19 duke lexuar dhe analizuar tekstet historike. Rezultati ishte një traktat me titull “Mbi unitetin historik të rusëve dhe ukrainasve”, që u botua në korrikun e vitit 2021 dhe iu lexua çdo anëtari të forcave të armatosura ruse përpara pushtimit.

Shpjegimet e gjata dhe shpeshherë të gabuara të Putinit në gjysmën e parë të intervistës që dha për Tukcer Carlson, përsëritën në thelb argumentet kryesore të esesë së tij të gjatë, edhe pse shpesh me disa modifikime edhe më ekstreme dhe me një revizionizëm historik shtesë.

I tillë ishte momenti kur ai deklaroi se Hitleri nuk kishte zgjidhje tjetër, veçse të pushtonte Poloninë në vitin 1939 dhe të shkaktonte fillimin e Luftës së Dytë Botërore. Ndërsa fiksimi mbi ngjarjet e shekujve të kaluar mund të duket i çuditshëm, çështja e identitetit ukrainas është thelbi i mitit themelor të Rusisë, dhe rrjedhimisht i politikës së saj aktuale.

Si Putin, ashtu edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, kanë marrë emrin e Princit të Madh të Kievit, që në vitin 988, u konvertua në besimin e krishterë dhe e pagëzoi shtetin e tij, Rusinë e Kievit, që përfshinte pjesë të mëdha të Ukrainës, Bjellorusisë dhe Rusisë së sotme.

Vetë Moska u themelua më shumë se një shekull pas vdekjes së tij. Menjëherë pas aneksimit të Gadishullit të Krimesë të Ukrainës (ku ndodhi konvertimi i Princit të Madh) në vitin 2014, Putin urdhëroi ndërtimin e një statuje gjigante të Princit Vladimir - Volodymyr për ukrainasit - pranë mureve rrethuese te Kremlinit.

Një fakt i papëlqyeshëm dhe i përshtatshëm për Moskën, është se sot Kievi është kryeqyteti i një vendi të huaj, që e minon vizionin e Rusisë për veten, si trashëgimtare e vërtetë e lavdisë së Kievit Rus, me një të drejtë historike për të gjitha tokat e sunduara dikur nga princat e Kievit.

Po sipas fjalëve të Putinit, identiteti ukrainas është një shpikje e fillimit të shekullit XX-të nga armikja e Rusisë, Perandoria Austro-Hungareze. Ideja “që njerëzit që banonin në atë territor nuk ishin vërtet rusë, por i përkisnin një grupi të veçantë etnik, ukrainas, filloi të përhapej nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Austriake”- deklaroi ai në intervistën për Carlson.

Pjesë të Ukrainës nën sundimin austriak në atë kohë, si qyteti Lviv, u shndërruan në qendra të jetës intelektuale ukrainase - por vetëm sepse shkrimtarët, historianët dhe poetët nga Kievi duhej të kërkonin strehim atje pasi Rusia nxori të jashtëligjshme përdorimin e ukrainishtes. Në vitin 1847, poeti kombëtar i Ukrainës, Taras Shevchenko, u arrestua për shkrimin e poezive patriotike dhe u dërgua me detyrim si ushtar në Azinë Qendrore. Ai u lejua të kthehej në Ukrainë më shumë se një dekadë më vonë, për t’u arrestuar më pas shumë shpejt.

Putini, që dikur fliste sesi lexonte Shevchenkos në gjuhën ukrainase kur ishte student, nuk e përmend më atë në versionin e tij të historisë, pasi në këtë mënyrë do të pranonte se letërsia ukrainase i paraprin intrigave të supozuara të Shtabit të Përgjithshëm austro-hungarez.

Gjatë takimit me Carlson, Putini i dha atij kopje të letrave nga Bohdan Khmelnytsky, të cilin ai e përshkroi si “njeriun që kontrollonte pushtetin në këtë pjesë të tokave ruse që tani quhet Ukrainë”. Titulli i Khmelnytsky ishte Hetman, ose Duka i Ukrainës - siç dëshmohet në shumë portrete të kohës së tij.

Por të pranosh që emri Ukrainë është përdorur për shekuj me radhë, është një tabu në Rusinë sotme të Putinit. Në majin e vitit të kaluar, kryetari i gjykatës kushtetuese të Rusisë, Valery Zorkin, i dorëzoi Putinit një hartë të shekullit të 17-të që ishte gjetur në arkivat e gjykatës.

“Pse e solla? Sepse ajo nuk tregon asnjë Ukrainë”- tha Zorkin.

Putin ishte i kënaqur teksa e ekzaminonte hartën, duke shpjeguar edhe një herë se si Ukraina u krijua vetëm si rezultat i Revolucionit Rus në 1917. “Autoritetet sovjetike krijuan një Ukrainë Sovjetike. Të gjithë e dinë mirë këtë gjë. Para kësaj, në historinë e njerëzimit nuk ka asnjë Ukrainë”- shkroi ai. Harta e treguar nga Zorkin në maj 2023, është e njohur dhe ekziston në shumë kopje. Pikërisht poshtë Kievit, harta mban mbishkrimin: “Ukraina:Vendi i Kozakëve”. /Përshtati “Pamfleti” nga “Wall Street Journal”