
Pavarësisht nga ndërmjetësit e rinj, ishte kanali i vjetër diplomatik zviceran, ai të cilit iu drejtua Irani për ta paralajmëruar Perëndimin se po përgatitej të lëshonte raketa balistike drejt Izraelit...
Në përfundim të bisedimeve të saj të para ballë për ballë me iranianët në vitin 2013, krye-negociatorja e presidentit amerikan Barack Obama në bisedimet mbi programin bërthamor të Teheranit, Wendy Sherman, ishte jo pak nervoze. Dhe kjo ishte e kuptueshme, po të kihet parasysh se nuk kishte pasur negociata të drejtpërdrejta midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit që nga ditët e para të krizës së pengjeve të vitit 1979 në ambasadën amerikane në Teheran.
Pasi Ayatollah Khomeini refuzoi që të lejonte hyrjen në Iran të negociatorit të SHBA-së, Hamilton Jordan, ndihmësi i atëhershëm i presidentit amerikan Jimmy Carter, shkoi në Paris i maskuar me paruke, mustaqe false dhe syze të errëta për të arritur një marrëveshje në fshehtësi me Ministrin e Jashtëm të Iranit.
Nisma e tij dështoi. Kriza vazhdoi për shumë muaj, dhe për përfundimin e saj u angazhuan shumë ndërmjetës, nga një avokat francez, një biznesmen argjentinas misterioz, tek Organizata për Çlirimin e Palestinës dhe qeveria panameze, përpara se të ishte në fund Algjeria garante e marrëveshjes për lirimin e pengjeve.
Gjatë asaj krize, Uashingtoni i ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin, duke lënë zviceranët neutralë si përfaqësuesit e vetëm të interesave të SHBA-së përmes ambasadës së tyre në Teheran. Zvicra veproi nën “mandatin e fuqisë mbrojtëse”, që në fakt funksionon edhe sot e kësaj dite.
Në vitin 2001, ky kanal komunikimi u përdor për të arritur një pakt sekret, përmes të cilit Teherani pranoi të ndihmonte ushtarët amerikanë që kishin zbarkuar në Afganistan pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, nëse aksidentalisht do të kalonin kufirin me Iranin.
Irani ra dakord për këtë, vetëm pas garancive se SHBA do të respektonte integritetin e tij territorial, përfshirë hapësirën e tij ajrore. Po ashtu, Irani përdori kanalin diplomatik zviceran për të kontaktuar Uashingtonin, pas pushtimit të Irakut nga aleatët perëndimorë në vitin 2003.
Teherani propozoi negociata gjithëpërfshirëse, që do të përfshinin potencialisht edhe njohjen e Izraelit si shtet si dhe veprimin kundër grupeve terroriste që vepronin në Iran. Administrata Bush e hodhi poshtë atë ofertë, dhe kur propozimi u zbulua në media, ai tha se përpjekja nuk ishte gjë tjetër veçse “një ushtrim diplomatik kreativ” nga ana e ambasadorit zviceran.
Por ky i fundit, Tim Guldimann, këmbënguli se kishte vepruar vetëm si “postier” për aq sa e lejonte mandati. “Sa herë që ka diçka nga njëra anë, dhe ajo dëshiron që ta dijë pala tjetër, e përdor këtë kanal”- theksoi Guldiman. Kaluan 10 vite dhe Sherman, që mbante postin e drejtoreshës politike në Departamentin e Shtetit, e pa veten të ulur përballë tryezës ku ishte ulur një delegacion tjetër iranian.
U deshën vite për të arritur në këtë fazë:një kanal sekret, përmes të cilit amerikanët do të negocionin me iranianët, në mesin e shqetësimeve globale në rritje mbi natyrën e programit të tyre bërthamor. Në raundet e mëparshme Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe BE-ja ishin takuar me iranianët në Gjenevë.
Por Uashingtoni ishte lojtari kryesor, pa të cilin çdo lloj marrëveshje do të ishte e pakuptimtë. Kanali sekret i komunikimit, nisi të funksionojë që nën presidencën e Mahmoud Ahmadinexhad, pavarësisht nga armiqësia e tij publike ndaj Perëndimit. Sherman i kujton kontaktet e para si shumë sikletshme, ku iranianët flisnin në gjuhën e tyre ndërsa amerikanët në anglisht.
Në fillim pati pak përparim. Gjërat ndryshuan pas zgjedhjes president të Hassan Rouhani, me një platformë për reforma të gjera ekonomike dhe për afrimin me Perëndimin, që të hiqeshin sanksionet ndaj Republikës Islamike. Rouhani u trondit kur zbuloi se ekzistonte tashmë një kanal i tillë i fshehtë komunikimesh midis Teheranit dhe Uashingtonit.
Në përpjekje për të gjetur gjuhën e përbashkët, Sherman bëri shaka me bashkëbiseduesit e saj të rinj, mbi faktin se si grua nuk mund t’u shtrëngonte dot duart. Ajo u kujtoi atyre një traditë të ngjashme me komunitetin hebre ortodoks ku ishte rritur. Edhe pse kishin mosmarrëveshje mbi shumë pika, qëndrimi i palëve në të njëjtën sallë ndryshoi gjithçka.
“Edhe Ministri i Jashtëm, Mohammad Javad Zaridf, e dinte kur isha vërtet e inatosur me të, sepse i drejtohesha me Ministër Zarif. Herë të tjera, kur punonim vërtet për interesat tona të përbashkëta, unë e thërrisja thjesht Javad”- deklaroi ajo në një intervistë të vitit 2021.
Sherman u bë gjyshe në të njëjtën kohë me një nga negociatorët, Abbas Aragchi, dhe ata shkëmbyen fotografitë e nipërve të tyre. Ajo zbuloi se iranianët ishin paranojakë dhe druheshin se çdo gjë mund të kontestohej kur të ktheheshin në Teheran për konsultime. Ndaj Sherman kërkoi vendosjen e një tabele të madhe në sallë, ku do të shënohej çdo element i ri i marrëveshjes, dhe ku secila palë mund të mbante shënimet e saj.
Kur iranianët u ankuan mbi presionet e klerikëve, Sherman u tregoi letrën e senatorëve republikanë që kërkonin një rol në negociata edhe për Kongresin, si për t’u thënë se edhe amerikanët kishin presionet e tyre. Marrëveshja u rrëzua kur presidenti Trump u tërhoq prej saj në vitin 2018, pa i rihapur negociatat.
Tensionet arritën kulmin. Megjithatë, disa orë pas sulmit raketor të SHBA-së në Bagdad që solli vrasjen e gjeneralit Qasem Soleimani, komandantit të Gardës Revolucionare iraniane, administrata Trump iu drejtua kanalit zviceran me një mesazh urgjent për Iranin:”Mos e përshkallëzoni situatën!”.
Në ditët që pasuan, Shtëpia e Bardhë dhe udhëheqësit iranianë shkëmbyen një varg mesazhesh shumë më të matura sesa retorika e zjarrtë që dëgjohej zakonisht në publik, duke ndihmuar në zbutjen e tensioneve, dhe duke i dhënë fund krizës me një sulm iranian hakmarrës pa dëme në njerëz mbi bazat e boshatisura amerikane në Irak.
SHBA-ja iu drejtua sërish kanalit diplomatik zviceran për të nisur vitin e kaluar negociatat për lirimin e amerikanëve të mbajtur peng në Iran. Por ishte Katari, ai që luajti rolin më domethënës, duke vepruar si ndërmjetës midis Teheranit dhe Uashingtonit.
Në janar të këtij viti, ishte Omani ai që përdori “diplomacinë e anijes” midis negociatorëve amerikanë dhe iranianë të mbledhur në Muscat, teksa Uashingtoni u përpoq të bindte Teheranin që të ushtronte presion ndaj rebelëve Huthi në Jemen, për t’i dhënë fund sulmeve të tyre ndaj anijeve tregtare që kalojnë përmes Detit të Kuq.
Pavarësisht nga ndërmjetësit e rinj, ishte kanali i vjetër diplomatik zviceran, ai të cilit iu drejtua Irani për ta paralajmëruar Perëndimin se po përgatitej të lëshonte raketa balistike drejt Izraelit. Ai paralajmërim, i dha mundësi Uashingtonit të vinte në dijeni dhe përgatiste izraelitët, duke e lejuar Iranin që të kundërpërgjigjej pa shkaktuar shkatërrime të konsiderueshme dhe pa e përshkallëzuar situatën./Përshtati Pamfleti nga “Sunday Times”
Lini një Përgjigje