TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 9 Maj 2026, 14:55

Si po e ribalancon tregun e naftës “dora e padukshme” e Kinës

Shkruar nga Javier Blas
Si po e ribalancon tregun e naftës “dora e padukshme” e
Si po e ribalancon tregun e naftës “dora e padukshme” e Kinës

Përmes një strategjie të zbatuar në heshtje të reduktimit të importeve dhe shfrytëzimit të burimeve alternative, Pekini po arrin të zbutë goditjen e krizës energjetike globale. Ky ndryshim strukturor po shërben si një tampon kritik që frenon rritjen e çmimeve, pavarësisht tensioneve gjeopolitike në Gjirin Persik.

Përballë një mungese të paprecedentë furnizimi, tregu i naftës po përdor çdo mjet të mundshëm për të ribalancuar ofertën dhe kërkesën. Disa prej tyre janë të njohura: shmangia e Ngushticës së Hormuzit përmes tubacioneve, përdorimi i rezervave emergjente dhe lejimi që çmimet e larta të ulin konsumin.

Por ekziston edhe një forcë tjetër, po aq e rëndësishme dhe pothuajse e papërmendur: Kina. Në heshtje, Pekini ka ulur importet e naftës me afro 25 për qind krahasuar me periudhën para luftës.

Efekti është i qartë: papritur, më shumë naftë është bërë e disponueshme për tregun ndërkombëtar, duke mbajtur çmimet pranë nivelit kritik prej 100 dollarësh për fuçi, pavarësisht më shumë se 60 ditëve konflikt në Gjirin Persik.

Megjithatë, mekanizmat që qëndrojnë pas kësaj rënieje të importeve - vendimtarë

për të kuptuar nëse kjo prirje është e qëndrueshme - mbeten të paqartë. Të kuptosh industrinë gjigante energjetike kineze është e vështirë, sidomos kur mjegullnaja e luftës e bën situatën edhe më të paqartë.

Tregtarët e naftës përpiqen të mbushin boshllëqet që lënë statistikat zyrtare të pjesshme, duke gjurmuar tankerët që shkarkojnë dhe ngarkojnë në portet kineze, duke analizuar rezervat përmes imazheve satelitore dhe duke u mbështetur tek kontaktet e tyre në terren.

Gjatë javëve të fundit, drejtuesit e industrisë kanë vënë re diçka të pazakontë. Kompanitë shtetërore kineze po rishesin ngarkesa nafte tek rivalët europianë dhe aziatikë. Ky veprim sugjeron tepricë furnizimi, diçka e çuditshme në një periudhë mungese globale.

Kjo lëvizje jo vetëm që ka kufizuar rritjen e çmimeve të referencës, por ka shkaktuar edhe një rënie dramatike të pagesave shtesë që paguajnë tregtarët për të siguruar naftën në këtë periudhë. Fuçitë që në fillim të prillit shiteshin me 30 dollarë mbi çmimin bazë, tani po tregtohen me një tarifë shtesë prej vetëm 1 dollar.

Madje kanë filluar të shfaqen edhe zbritje çmimesh. Edhe të dhënat mbi lëvizjen e tankerëve japin të njëjtin sinjal të pazakontë. Kompania analitike Vortexa, vlerëson

se Kina po importon vetëm 8.2 milionë fuçi naftë në ditë, nga rreth 11.7 milionë para luftës.

Kjo rënie prej 3.5 milionë fuçish në ditë është pothuajse sa konsumi total i Japonisë dhe dyfishi i kapacitetit të tubacionit të Emirateve të Bashkuara Arabe që shmang Hormuzin.

Pra kemi një ndryshim gjigant, dhe është ndoshta faktori i dytë ose i tretë më i rëndësishëm që po e ribalancon aktualisht tregun global të naftës. Kjo rënie e importeve do të kishte kuptim nëse rezervat komerciale kineze do të pakësoheshin ndjeshëm apo nëse Pekini do të kishte filluar të përdorte rezervat strategjike të naftës. Por asnjëra nuk po ndodh. Përkundrazi, sipas të dhënave satelitore, rezervat tregtare kanë vazhduar të rriten javët e fundit. Ajo që bëri Pekini ishte ndalimi i eksporteve të produkteve të rafinuara, duke u dhënë rafinerive mundësinë të përpunonin më pak naftë për të mbuluar kërkesën e brendshme.

Por kjo politikë tashmë është përmbysur, gjë që sugjeron se vendi mendon se ka furnizim të mjaftueshëm me karburante. Por si po arrin Kina të importojë shumë më pak naftë pa ulur rezervat? Në të kaluarën, vendi blinte më shumë naftë sesa i nevojitej, duke ndërtuar rezerva të mëdha për raste emergjence.

Sot, Kina ka afro 1.4 miliardë fuçi në rezervat e saj - shumë më tepër se 400 milionët e SHBA-së dhe 260 milionët e Japonisë. Mesatarisht, vitin e kaluar Kina blinte ndoshta një milion fuçi në ditë më shumë sesa i duheshin.

Vetëm duke ndalur zgjerimin e rezervave, ajo mund të ulë ndjeshëm importet pa prekur nevojat reale për konsum. Kjo mund të shpjegojë ndoshta një të tretën e rënies së importeve. Por pjesa tjetër?

Këtu fillojnë spekulimet e tregtarëve të naftës. Një teori thotë se aktiviteti ekonomik në Kinë është më i dobët sesa mendohej, dhe për rrjedhojë rritja e konsumit të naftës është më e ulët. Shkaku? Ndoshta ndikimi i luftës tek partnerët tregtarë të Kinës në rajon, si Filipinet, Vietnami dhe Tajlanda.

Për më tepër, rritja e përdorimit të makinave elektrike, transportit publik më efikas dhe puna nga shtëpia i kanë bërë familjet kineze më të afta të përballojnë çmimet e larta të naftës.

Në dallim nga disa vende të tjera të rajonit, Kina nuk ka shpallur masa emergjente për të ulur kërkesën, si java pune 4-ditore për administratën apo promovim të bashkëndarjes së makinave.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë vlerëson, bazuar në të dhëna paraprake, se kërkesa kineze për naftë ka hyrë në tkurrje modeste në mars dhe prill, me rreth 110 mijë fuçi më pak në ditë, duke zbritur në rreth 17 milionë fuçi në ditë.

Megjithatë, kjo rënie nuk mjafton për të shpjeguar pse kanë rënë kaq shumë importet. Ndoshta, kërkesa reale për naftë në Kinë po bie shumë më fort sesa mendohet aktualisht? Sipas disa tregtarëve, përgjigja mund të jetë industria petrokimike, sektori që ka gjeneruar pjesën më të madhe të rritjes së konsumit të naftës gjatë 5 viteve të fundit.

Në këtë sektor, Kina është unike. Përveç industrisë tradicionale që përdor naftë dhe gaz natyror si lëndë të parë, ajo ka edhe një industrie paralele që mbështetet tek qymyri. Që nga fillimi i luftës në fund të shkurtit, fitimet nga teknologjitë “qymyr-në-kimikate” (një sërë procesesh industriale që transformojnë qymyrin e ngurtë në produkte dhe lëndë të para industriale të vlefshme dhe me vlerë të lartë, të tilla si metanoli, amoniaku, lëndët djegëse sintetike dhe olefinat) janë rritur ndjeshëm.

Ky sektor zakonisht ka kapacitet të tepërt, ndaj ekziston hapësirë për të zëvendësuar naftën me qymyrin si lëndë bazë për prodhimin kimik. Mungojnë të dhënat konkrete  por sipas informacioneve nga industria, fabrikat që prodhojnë plastikë nga qymyri -

si polietileni, polipropileni dhe PVC-ja, kanë punuar me kapacitet të lartë gjatë 60 ditëve të fundit, duke ulur përdorimin e lëndëve tradicionale si etani dhe nafta industriale.

Pra, ndoshta Kina është mbështetur shumë më tepër tek teknologjitë “qymyr-në-kimikate” sesa mendohej më parë. Një tjetër shpjegim i mundshëm, është se ajo po konsumon rezervat e vështira për t’u monitoruar të plastikës gjysmë të përpunuar

dhe kimikateve të tjera, gjë që do ta bënte një fenomen të përkohshëm këtë rënie të konsumit të naftës.

Mbase ka edhe shpjegime më të thjeshta. Edhe pse tregtarët përpiqen të vlerësojnë rezervat kineze përmes satelitëve, ndoshta ata po humbasin disa depozita dhe rezervat në të vërtetë po bien.

Tregu është plot me zëra se Kina po përdor në heshtje rezervat strategjike, duke filluar nga depozitat nëntokësore që nuk mund të shihen nga satelitët. Ndoshta është e vërtetë. Një rol mund të luajnë edhe vonesat kohore. Po ashtu po rritet prodhimi vendas i naftës dhe mund të ndihmojë në mbulimin e boshllëqeve.

Por një gjë është e qartë: Kina po e ribalancon aktualisht tregun global të naftës. Pyetja më e madhe është për të nesërmen: nëse mund të ulë kaq drastikisht importet pa marrë masa ekstreme, çfarë tregon kjo për të ardhmen e konsumit të naftës në Kinë? Sigurisht, asgjë pozitive për ata që presin rritje të çmimeve./Përshtati "Pamfleti", nga “Bloomberg”

tregu i naftes dora e padukshme kina

Lini një Përgjigje