
Katër hapa për të cilat duhet të mendojnë gjenerata e ardhshme e liderëve të vendit...
Njerëz të ndjeshëm anembanë botës, janë tronditur nga 3 muajt e parë të administratës Trump. Dhe kjo jo vetëm nga shpërbërja kaotike e institucioneve kyçe të qeverisë amerikane, sulmit ndaj arsimit të lartë, goditjet ndaj studiove të njohura ligjore, shpërfillja e hapur ndaj procesit të rregullt ligjor dhe kundërshtimit të urdhrave të gjykatës, hakmarrjet personale ndaj individëve që nuk i pëlqejnë presidentit, dhe së fundmit vendosjes së tarifave deri edhe tek pinguinët.
Por edhe nga paaftësia gjithnjë e më e dukshme e besnikëve që emëroi Donald Trump për të çuar përpara ambiciet e tij autokratike. Ndikimet e këtyre sjelljeve në imazhin e Amerikës si një vend i qëndrueshëm dhe besueshëm ishin të menjëhershme.
Lëkundjet në tregun dikur të fortë të bonove të thesarit të SHBA-së, e detyruan Mark Blyth nga Universitetit Browen të deklaronte për New York Times: “E gjithë bota po e sheh se qeveria amerikane nuk e ka idenë se çfarë është duke bërë”. Ose siç i tha kolegu im Jason Furman për CNN: “SHBA-ja është për momentin një partnere tejet e pabesueshme për këdo në botë, dhe nuk e di se si do ta rikthejmë besimin e humbur”.
Kjo është një pyetje shumë e mirë. Trump nuk do të jetë përgjithmonë president, dhe udhëheqësit e ardhshëm amerikanë mund të dëshirojnë të rivendosin një shkallë besimi me qeveritë dikur mike, komunitetin e biznesit brenda dhe jashtë vendit si dhe në raport me shumicën e popullit amerikan. Por pasi thyhet, besimi mund të jetë i vështirë për t’u rivendosur.
Ndaj si mund ta rifitojë bota besueshmërinë ndaj SHBA-së me një grup udhëheqësish më të përgjegjshëm? Kjo nuk do të jetë e lehtë. Në vitin 2021, rivendosja e besimit në besueshmërinë e SHBA-së ishte e lehtë, sepse Joe Biden ishte një figurë e njohur edhe për angazhimin për të punuar me shtetet e tjera.
Po ashtu, amerikanët mund t’i thoshin vetes se mandati i parë i Trump, ishte një aksident i çuditshëm që nuk do të përsëritej. Për ta ishte e sigurt se amerikanët nuk do të votonin për 4 vite të tjera kaosi me në krye Trump.
Për fat të keq, rizgjedhja e Trump në vitin 2024 - pasi ishte përpjekur të përmbyste rezultatin e zgjedhjeve në 2020, dhe u shpall fajtor për disa krime - e bën më të vështirë që të huajt ta shohin si një lajthitje atë që po ndodh sot.
Kur kryeministri i Kanadasë thotë një me keqardhje të dukshme, se “kanë mbaruar marrëdhëniet e vjetra që kishim me Shtetet e Bashkuara, bazuar në integrimin e thelluar midis ekonomive tona dhe bashkëpunimin e ngushtë në fushën e sigurisë dhe atë ushtarak”, është e qartë se problemi shkon më thellë se sa vetëm tek një person.
Po çfarë hapash mund të ndërmarrë një president dhe kabineti i ardhshëm, për të rivendosur një shkallë besimi në gjykimin dhe besueshmërinë e SHBA? Këtu po parashtroj 4 sugjerime.
Së pari, të pranohen gabimet. Kur shtetet kryejnë veprime idiote dhe të dëmshme për të tjerët (dhe veten e tyre), kjo ndihmon në riparimin e marrëdhënieve nëse ata i pranojnë haptazi gabimet e tyre. Kërkimi i ndjesës për gabimet e së kaluarës, i tregon të tjerëve se keni mësuar nga përvoja dhe keni më pak gjasa të bëni përsëri të njëjtin gabim.
Gjermania e pas Luftës së Dytë Botërore, riparoi marrëdhëniet e saj me pjesën tjetër të Evropës duke pranuar drejtpërdrejt gabimet e epokës naziste. Ndërkohë Japonia ishte më ngurruese, ndaj marrëdhëniet e saj me fqinjët, edhe pse të përmirësuara, mbeten sot më të brishta.
Së dyti, administrata e ardhshme duhet të nënshkruajë marrëveshje të reja me të tjerët, që janë qartazi në interesin vetjak të Amerikës, ndërkohë që e pranon se nuk do të marrë gjithçka që dëshiron, se edhe të tjerët duhet të kënaqin disa nga interesat e tyre.
Besimi është një mall i pakët në çështjet ndërkombëtare, por shtetet kanë më shumë gjasa të besojnë se ju do t'i përmbaheni angazhimeve tuaja, nëse ata mund të shohin se kjo është vërtet në interesin tuaj. Është shumë më e vështirë t’i bindësh ata, se do të përmbushni një angazhim që mund t’ju bëjë më keq.
Prandaj pse kaq shumë njerëz, përfshirë mua, nuk besonin se Trump do ta niste vërtet luftën e tij tregtare. Kjo veçori nuk garanton që një shtet do të bëjë atë që ka premtuar, por e bën atë më të mundshëm.
Së treti, rindërtimi i besimit do të jetë më i lehtë nëse presidentët e ardhshëm emërojnë zyrtarë të lartë, të cilët janë të kualifikuar për postet që mbajnë dhe respektohen nga homologët e tyre të huaj dhe nëse zbatojnë një proces të disiplinuar dhe koherent të politikë-bërjes.
Shtetet e tjera do t’ii besojnë më shumë gjykimit të SHBA-së, nëse janë të sigurt se njerëzit përgjegjës e dinë se çfarë po bëjnë. Konfliktet e interesit do të jenë ende, por aleatët do jenë më pak të shqetësuar se fatet e tyre do t’i nënshtrohen tekave presidenciale apo politikave amatore.
Së katërti dhe ndoshta më e rëndësishmja, duhet të mbajnë përgjegjësi njerëzit që po dëmtojnë sot me zell reputacionin e Amerikës për besueshmëri dhe kompetencë. Në SHBA, llogaridhënia ka qenë e pamjaftueshme për një kohë të gjatë.
Ndaj arkitektët e dështimeve të dikurshme në politikën e jashtme dhe abuzimeve ekonomike, mbeten anëtarë të respektuar të establishmentit. Kjo mungesë llogaridhënie i hapi derën populizmit të rremë të Trump dhe sulmeve të tij ndaj elitave në të dyja kampet. Sigurisht, unë nuk po propozoj një hakmarrje post-Trump, të ngjashme me atë që ai po përpiqet të shkaktojë ndaj kujtdo që e ka zemëruar.
Por nëse zyrtarët e administratës kanë shkelur ligjin, ata duhet të ndiqen penalisht, dhe t’i nënshtrohen procesit të duhur që po ua mohojnë të tjerëve. Por sa më të mëdha të jenë gabimet politike apo krimet e kryera nga administrata Trump, aq më e madhe është nxitja e tyre për të qëndruar në detyrë përgjithmonë.
Është i njëjti problem me liderë të tjerë të zgjedhur dikur në mënyrë demokratike, por që sot janë jo liberale, si Viktor Orban në Hungari, Recep Tayyip Erdogan në Turqi apo Benjamin Netanyahu në Izrael. Ata po kapin të gjitha pushtetet me çdo mjet të nevojshëm, sepse mund t’u duhet të përballen me drejtësinë nëse heqin dorë nga ajo.
Si e ardhmja e demokracisë amerikane, ashtu edhe aftësia e liderëve të ardhshëm amerikanë për të krijuar një besim tek qëndrueshëm tek vendet e tjera, mund të varen nga ajo nëse amerikanët në të gjithë spektrin politik, e njohin dëmin që po bëjnë Trump dhe radikalët e MAGA, dhe do të kenë sukses në largimin e tyre në periferinë e jetës politike.
Shënim: Stephen M. Walt, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Harvardit
Lini një Përgjigje