
Trump akuzon Zelensky-n për dëmtim të procesit të paqes me qëndrimin ndaj Krimesë dhe thotë se presidenti i Ukrainës nuk ka "karta për të luajtur".
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, qortoi të mërkurën liderin ukrainas Volodymyr Zelensky, pasi tha se Ukraina nuk do ta njihte pushtimin rus të Krimesë, të cilën ai e quajti një deklaratë nxitëse që do ta bëjë më të vështirë arritjen e një marrëveshjeje paqeje me Rusinë.
"Kjo deklaratë është shumë e dëmshme për negociatat e paqes me Rusinë," shkroi Trump në një postim në Truth Social .
Ai tha se Krimea ishte e humbur vite më parë “dhe nuk është në asnjë pikë diskutimi”.
“Ne jemi shumë afër një marrëveshjeje, por njeriu që nuk ka letra për të luajtur tani, më në fund, duhet ta kryejë atë”, shtoi Trump.
“Mezi pres të jem në gjendje të ndihmoj Ukrainën dhe Rusinë, që të dalin nga ky konfuzion i plotë dhe total, që nuk do të kishte filluar kurrë nëse unë do të isha President!”, shprehet Trump.
Reagimi i Presidentit amerikan vjen në një kohë kur një takim i planifikuar të mërkurën midis diplomatëve të lartë amerikanë, britanikë, francezë dhe ukrainas për të shtyrë përpara një marrëveshje paqeje midis Rusisë dhe Ukrainës u anulua në minutën e fundit, ndërsa zv.Presidenti amerikan JD Vance tha se negociatat po arrijnë një moment të së vërtetës.
"Ne kemi lëshuar një propozim shumë të qartë si për rusët ashtu edhe për ukrainasit dhe është koha që ata ose të thonë "po" ose Shtetet e Bashkuara të largohen nga ky proces," u tha Vance gazetarëve gjatë një vizite në Agra, Indi.
Ai tha se ishte "një propozim shumë i drejtë" që do të "ngrijë linjat territoriale në një nivel afër vendit ku janë sot", me të dyja palët që duhet të heqin dorë nga disa territore që kanë aktualisht. Ai nuk dha detaje të mëtejshme të propozimit, raportoi AP.
Ukraina tha të mërkurën se ishte "e përkushtuar" ndaj përpjekjeve të udhëhequra nga Uashingtoni për t'i dhënë fund luftës me Rusinë pasi zëvendëspresidenti amerikan JD Vance kërcënoi të braktiste negociatat nëse një marrëveshje nuk arrihet së shpejti.
“Ne theksuam se jemi të përkushtuar ndaj përpjekjeve për paqe të presidentit amerikan Donald Trump”, tha ndihmësi i presidentit ukrainas, Andriy Yermak pas bisedimeve në Londër me përfaqësuesit e aleatëve të Kievit, duke shtuar “ne u jemi mirënjohës partnerëve tanë për mbështetjen e tyre të fortë dhe dëshirën e përbashkët për t'i dhënë fund luftës sa më shpejt të jetë e mundur”. /Përshtati Pamfleti/
Lini një Përgjigje