
Në debat ka ndërhyrë edhe Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, i cili jo vetëm nuk ka e mbrojtur aleatin politik, por e ka konsideruar këtë një skandal të rëndë...
Pak ditë para zgjedhjeve parlamentare në Mal të Zi, ka shpërthyer një skandal i niveleve të larta.
Kreu i partisë më të madhe në vend, Partia për Integrime Europiane e presidentit Jakov Milatoviç, është përfshirë në një skandal financiar.
Milojko Spajiç, kreu i PES është denoncuar nga media malazeze si personi që po mbron një nga mashtruesit më të mëdhenj ndërkombëtarë të kriptomonedhave, përkatësisht koreanin De Kwon.
Kjo ka sjellë një debat të fortë të brendshëm në Partinë e Presidentit dhe një reagim të ashpër nga e gjithë politika e Malit të Zi. Interesant është fakti që përveç opozitës, pra partisë që drejtonte Milo Gjukanoviç (DPS), i gjithë grupi i partive të mazhorancës e kanë dënuar rëndë këtë skandal.
Të gjitha partitë e grupimit filoserb e konsiderojnë të rëndë skandalin, me shpresën që të arrijnë të marrin votat e elektoratit gri, i cili votoi masivisht për Jakov Milatoviçin si President i Malit të Zi, që në raundin e parë. Duhet theksuar se Milatoviç sapo është ftuar për të vizituar zyrtarisht SHBA nga Sekretari i Shtetit, Antony Blinken.
Në debat ka ndërhyrë edhe Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, i cili jo vetëm nuk ka e mbrojtur aleatin politik, por e ka konsideruar këtë një skandal të rëndë.
Siç bën të ditur gazeta më e madhe e Malit të Zi, “Vijesti”, Abazoviç qartasi ka bërë të ditur se kemi të bëjmë me një skandal.
“Më lejoni të them vetëm për hir të qytetarëve - nuk bëhet fjalë për një narkotrafik apo për ndonjë narkoman nga Zabjela apo një pjesë tjetër e Malit të Zi, bëhet fjalë për një njeri që akuzohet se ka përvetësuar 40 miliardë dollarë dhe që kërkohet nga autoritetet kompetente të SHBA-së, Koresë së Jugut dhe për të cilët FBI-ja është veçanërisht e interesuar. Mendoj se ta sjellësh atë në kontekst me këdo në Mal të Zi, veçanërisht në skenën publike, nuk është mirë nëse është e vërtetë", ka deklaruar ai.
Abazoviç i ka kërkuar prokurorisë të hetojë menjëherë çështjen. Ai tha se Qeveria dhe Kryeministri janë përgjegjës për mbrojtjen e interesave kombëtare të Malit të Zi nga përfshirja e kriminelëve të ndryshëm.
“Nuk dua të vë në shënjestër askënd, detyra jonë është vetëm mbrojtja e interesave kombëtare të shtetit. Ne nuk mund të bëhemi terren për mashtruesit e botës, edhe sikur të kishin të bënin me blockchain apo ndonjë gjë tjetër. Kush dëshiron të punojë legalisht, në mënyrë transparente, të dukshme, pa pastrim parash, është më shumë se i mirëseardhur. Kushdo që ka imagjinuar diçka tjetër, duhet të përballet me autoritetet shtetërore të Malit të Zi dhe kjo vlen për të gjithë”, tha kryeministri.
Në zgjedhjet parlamentare të Malit të Zi, të drejtë vote kanë 542.468 qytetarë. Një numër mjaft i vogël, kur ndryshimi bëhet edhe me një votë. /Pamfleti
Lini një Përgjigje