Andy Burnham, deputeti i sapozgjedhur i Partisë Laburiste për Makerfield mund të jetë kryeministri i ri i Britanisë, pas largimit të Keir Starmer.
Ai ishte kryetar bashkie i Mançesterit të Madh për nëntë vitet e fundit dhe ka pasur një vend në Parlament më parë, duke përfaqësuar Leigh nga viti 2001 deri në vitin 2017.
Ai ka kandiduar dy herë për t’u bërë udhëheqës i Partisë Laburiste, në vitin 2010 dhe 2015, dhe ka humbur të dyja herët.
Ndërkohë pak minuta më parë Keir Starmer ka dhënë dorëheqjen si kryeministri i Britanisë së Madhe dhe si lideri i Partisë Laburiste.
Lajmi është bërë me dije përmes një deklarate në “10 Downing Street”, ku Starmer u shpreh se “do të vendos të parin vendin, të cilin e dua”.
Keir Starmer deklaroi se e pranon “me dinjitet dhe respekt” vendimin që nuk është personi më i përshtatshëm për të udhëhequr Partinë Laburiste në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme.
“Pyetja që po shtron tani partia ime është nëse unë jam personi më i mirë për ta udhëhequr atë në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme. E kam dëgjuar përgjigjen e grupit tim parlamentar për këtë pyetje dhe e pranoj atë përgjigje me mirëkuptim dhe respekt”, tha Starmer.
Ai theksoi se çdo vendim që ka marrë gjatë drejtimit të partisë ka pasur në qendër interesin e vendit.
“Çdo vendim që kam marrë ka qenë për të vendosur në radhë të parë vendin që e dua. Për këtë arsye do të jap dorëheqjen nga posti i liderit të Partisë Laburiste”, u shpreh ai.
Starmer bëri të ditur gjithashtu se kishte informuar Mbretin Charles III për vendimin e tij gjatë një bisede të zhvilluar në mëngjes.
Sipas deklaratës së tij, dorëheqja vjen pasi ai pranoi se nuk gëzon më mbështetjen e nevojshme brenda grupit parlamentar për të udhëhequr partinë në zgjedhjet e ardhshme.
Ai tha se kur mori drejtimin e Laburistëve gjeti një parti “politikisht, financiarisht dhe moralisht të falimentuar”, por se arriti të rikthente besimin tek ekonomia, mbrojtja dhe siguria kombëtare, si edhe të luftonte antisemitizmin brenda partisë.
Starmer e cilësoi hyrjen në Downing Street në vitin 2024 si “momentin më krenar të jetës së tij”, duke theksuar se kishte hyrë në politikë për të ndryshuar jetën e miliona njerëzve për mirë.
Lini një Përgjigje