Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, ka siguruar autoritetet qipriote se baza ajrore britanike RAF Akrotiri nuk do të përfshihet në marrëveshjen me Shtetet e Bashkuara për përdorimin e bazave në kuadër të “vetëmbrojtjes kolektive”.
Sipas Sky News, Starmer zhvilloi një bisedë me presidentin e Qipros, Nikos Christodoulides, pas një sulmi të Iranit me raketa balistike ndaj bazës së përbashkët britaniko-amerikane në Diego Garcia.
Në një deklaratë, një zëdhënës i Downing Street bëri të ditur se kryeministri britanik theksoi rëndësinë e sigurisë së Qipros, duke e cilësuar atë si një partner të ngushtë dhe mik të Mbretërisë së Bashkuar.
“RAF Akrotiri nuk do të përfshihet në vazhdimin e marrëveshjes së Mbretërisë së Bashkuar me SHBA për përdorimin e bazave britanike në kuadër të vetëmbrojtjes kolektive në rajon, përfshirë operacionet që synojnë dobësimin e kapaciteteve raketore të Iranit”, thuhet në deklaratë.
Ky qëndrim vjen në një moment tensionesh të shtuara në rajon, ndërsa Mbretëria e Bashkuar kërkon të balancojë angazhimet ushtarake me shqetësimet e aleatëve të saj.
Lini një Përgjigje