
Miku dhe partneri i Trump në lojërat e golfit, ka marrë përsipër një nga punët më të vështira në planet, duke dubluar edhe rolin e Sekretarit të Shtetit Marco Rubio. Duke mos pasur as arsimimin formal në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe as përvojë si diplomat, mbështetet shumë tek intuita dhe negociatat në fushën e biznesit, teksa lexon shumë libra dhe sheh dokumentarë të Netflix mbi konfliktet botërore...
Steve Witkoff e zbrazi çantën e shpinës mbi tavolinën e konferencave në zyrën e tij në katin e dytë, në Krahun Perëndimor të Shtëpisë së Bardhë. Donte të më tregonte një radiomarrëse që ia kishin dhënë kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe zyrtarë të lartë të Mossadit.
Pajisja ishte simbol i operacioni të ndërlikuar, në të cilin Izraeli shpërtheu shumë prej këtyre pajisjeve të përdorura për komunikim nga Hezbollahu, grupi militant libanez i sponsorizuar nga Irani, duke vrarë ose gjymtuar mijëra luftëtarë të tij.
Witkoff e gjeti pajisjen në mesin e një grumbulli pajisjesh elektronike që përdor për të komunikuar jashtë vendit në rolin e tij si Ssekretar Shteti në hije i Amerikës. Në pjesën e pasme të radiomarrëses, më tha me krenari, shkruhej përkushtimi: I dashur Steve, mik i shtetit të Izraelit. Dhe pastaj akronimin OTJ, që do të thotë “Një hebre i fortë”.
Nëse një nga përkufizimet e forcës hebraike, ka të bëjë me gatishmërinë për t’i bërë ballë Netanyahut, i cili i ka nervozuar presidentët amerikanë që nga koha e Bill Clinton, atëherë Witkoff, i dërguari special i presidentit Donald Trump, e meriton këtë vlerësim.
Ai sapo kishte ushtruar presion mbi izraelitët që të pranonin një marrëveshje armëpushimi dhe për shkëmbimin e pengjeve në janar, të negociuar me ndihmën e Egjiptit dhe Katarit. Dhe vetëm këtë javë, duke punuar pas shpinës së Netanyahut, pretendoi një tjetër fitore, duke ushtruar presion mbi Hamasin nëpërmjet një ndërmjetësi për të liruar Edan Alexander, pengun e fundit amerikan të gjallë në Gaza.
Ngritja spektakolare e Witkoff në skenën botërore - pak njerëz jashtë qarqeve të pasurive të paluajtshme në Nju Jork e njihnin deri 5 pesë muaj më parë - i ka hutuar diplomatët profesionistë të Amerikës, dhe e ka dobësuar rolin e Marco Rubios, Sekretarit aktual të Shtetit (dhe këshilltarit të përkohshëm të sigurisë kombëtare).
Rubio e mori postin e tij me një disavantazh të madh: Ai nuk ishte mik i Trumpit. Ndërkohë Witkoff është shumë i ngjashëm me të. Të dy njihen me njëri-tjetrin prej 40 vitesh. Steve është një frekuentues i rregullt i shumë klubeve të golfit të presidentit.
Witkoff e ndoqi Trumpin në investimet në pasuri të paluajtshme, një aktivitet që i bëri të dy miliarderë. Ai ka qenë në krah të Trumpit gjatë falimentimit, dy divorceve, dy shkarkimeve nga detyra, dy përpjekjeve për vrasje dhe dy inaugurimeve. Tani Trump i ka kërkuar mikut të tij të ngushtë të zgjidhë shumë nga problemet më të rrezikshme në botë, ku kanë ngecur breza të tërë presidentësh dhe diplomatësh amerikanë.
Witkoff, 68 vjeç, flet me një ton më të butë se presidenti, megjithatë është po aq i prirur për deklarata pompoze. Ai më tha: “Do të kemi sukses në Siri; do ta dëgjosh shumë shpejt. Po ashtu do të kemi sukses në Libi, si dhe në konfliktin midis Azerbajxhanit dhe Armenisë. Dhe në fund, do të arrijmë një marrëveshje me Iranin dhe një zgjidhje të konfliktit Rusi-Ukrainë!”.
Witkoff duket se nuk shqetësohet dhe aq nga historia e gjatë e dështimit diplomatik amerikan në Lindjen e Mesme. Ashtu si Trump, ai është shumë transaksionalist dhe i sheh Ajatollah Khamenein dhe Vladimir Putinin, jo si udhëheqës autoritarë mizorë dhe makiavelistë, që bazohen tek ideologji agresive dhe antagoniste, por si negociatorë të zgjuar, njëlloj si shumë avokatë të pasurive të paluajtshme që ka ndeshur dikur në biznes, kur synonte të arrinte marrëveshjen më të mirë të mundshme.
Ai dukej se e interpretonte dëshirën e Putinit për t’u takuar me të, jo si një shfaqje dominimi, por si një shenjë të interesit të sinqertë të udhëheqësit rus për paqe. Me izraelitët, ka treguar më shumë skepticizëm. Për të siguruar marrëveshjen e janarit, Witkoff i tha David Barnea-s, kreut të Mossadit, se nëse Izraeli nuk do të binte dakord, do t’i duhej t’u jepte përgjigje miqve, fëmijët e të cilëve nuk do të ktheheshin kurrë nga Gaza.
Në mars, Witkoff u largua nga Doha duke besuar se kishte arritur një marrëveshje me Hamasin për të zgjatur armëpushimin. Por grupi propozoi në momentin e fundit disa kushte alternative. “Ndoshta jam unë që po mashtrohem”, deklaroi ai në atë kohë.
Ashpërsia e konfliktit, e kishte bërë “të përulur”, siç ma tha një person që punon me udhëheqjen e një vendi të Gjirit Persik. Dhe pikërisht rreth asaj kohe, zyrtarët amerikanë nisën dialogun e drejtpërdrejtë me Hamasin, në një shkelje të hapur të protokollit amerikan.
Lirimi i pengut të fundit këtë javë nga grupi militant - i negociuar me ndihmën e Bishara Bahbah, kreu i grupit “arabo-amerikanët për Trumpin” - e mënjanoi plotësisht Izraelin nga procesi. Këto zhvillime i habitën ekspertët e vjetër. “Witkoff po lejohet të përdorë mjete që nuk i ka përdorur ndonjëherë asnjë administratë”- më tha Aaron David Miller, ish-analist dhe negociator i Departamentit të Shtetit për Lindjen e Mesme. “Ne nuk kemi parë kurrë një administratë që të distancohet nga Izraeli në këtë mënyrë”, shtoi ai.
Witkoff nuk ka një përgatitje zyrtare mbi marrëdhëniet ndërkombëtare. As trajnim apo përvojë si diplomat. Për të arritur marrëveshje për çështje aq të larmishme dhe të ndërlikuara sa lufta Rusi-Ukrainë dhe programi bërthamor iranian, ai mbështetet shumë tek intuita, tek suksesi i tij në negociatat në fushën e pasurive të paluajtshme, dhe tek miqësia e tij personale me presidentin amerikan.
Gjatë bisedës që patëm bashkë, me tha se muajt e fundit ka lexuar shumë libra dhe ka parë dokumentarë të Netflix mbi konfliktet botërore (përfshirë Pika e kthesës: Lufta e Vietnamit). Ai ka filluar të besojë, ashtu siç bëri Trump me politikën, se mund ta kthejë mungesën e ekspertizës në avantazhin e tij dhe të ketë sukses aty ku profesionistët kanë dështuar.
“Sjellja e tij të kujton filmin “Zoti Smith shkon në Lindjen e Mesme”, më tha senatori republikani Lindsey Graham i Karolinës së Jugut. Siç edhe pritej, ka një skepticizëm të gjerë në lidhje me shanset e Witkoff për të pasur sukses. Thuhet se disa nga diplomatët e zgjedhur nga vetë Trump, kanë shumë rezerva në lidhje me metodën e tij.
Ky i fundit i tronditi veteranët e politikës së jashtme amerikane, kur u kthye nga takimi i tij në mars me Putinin, duke përsëritur kushtet Kremlinit. Putin, tha Witkoff, “nuk dëshiron që të shohë vdekjen e të gjithëve”. I dërguari i Trump dukej se po ligjëronte pretendimet ruse për rajonet lindore të Ukrainës bazuar në referendume të rreme të organizuara atje në vitin 2022.
Po ashtu, ai u entuziazmua për sharmin personal të Putinit, duke thënë se udhëheqësi rus ishte “lutur për mikun e tij”, kur Trump u plagos lehtë në një tubim elektoral vitin e kaluar. Witkoff u shpreh i ngazëllyer për Putinin: “Më pëlqeu ai njeri!”.
“Witkoff duket se e pranon si të mirëqenë fjalën e Putinit. Rusët janë shumë të aftë dhe shumë dinakë. Witkoff ka pak përvojë me ta, ndaj mund të shfrytëzohet”, thotë William B.Taylor Jr., një diplomat me përvojë të gjatë dhe ish-ambasador i SHBA-së në Kiev.
Ndërkohë aleatët e Witkoff, thonë se ai thjesht po provon të lajkatojë rusët, një gur themeli i politikës së jashtme të Trump. Roli i tij, i cili dublon disa nga detyrat e politikës së jashtme të marra përsipër nga dhëndri i presidentit, Jared Kushner, në mandatin e parë të Trump, mbështetet tek disa premisa.
Së pari që mosmarrëveshjet ndërkombëtare zgjidhen më mirë jo nga institucionet shumëpalëshe, por nga superfuqitë e botës, të përfaqësuara nga të dërguarit personalë të udhëheqësve të fortë. Së dyti që interesat e biznesit mund t’i kapërcejnë urrejtjet e vjetra, qofshin etnike apo fetare. Dhe së treti që objektivat e SHBA-së janë thelbësisht pragmatike, jo shumë të shqetësuara për atë që është e drejtë apo e gabuar.
Witkoff është një realist sipas formulimit klasik të Hans Morgenthaut. Ai mendon dhe vepron “në terma të interesit të përcaktuar si pushtet”. “Unë nuk jam ideolog. Mos harroni, jam një diplomat amator”- më tha në një moment. E pyeta nëse këto ishin fjalë të tij apo të huazuara nga dikush tjetër. “Fjalët e mia”, u përgjigj ai, “por i them me ironi”.
Ai qeshi me të madhe. “Diplomacia është negocim. Është diçka që e kam bërë gjithë jetën time”- shtoi më tej. Jeta e Witkoff s’ka qenë gjithmonë kështu. Ai bëri emër duke blerë dhe shitur pasuri të paluajtshme dhe grumbulluar një pasuri prej rreth 2 miliardë dollarësh.
Ajo që i mungon në kredencialet diplomatike, Witkoff e kompenson me besimin e presidentit. Trump i beson shumë Witkoff, më thanë ndihmësit dhe aleatët e tjerë, sepse ai pati sukses në sipërmarrje por edhe sepse besnikëria e tij është absolute.
“Një njeri si Trump ka shumë të njohur. Por mendoj se ai ka shumë pak miq të vërtetë jashtë familjes së tij, dhe Steve duhet të jetë i pari ndër ta”- tha Susie Wiles, shefja e stafit të Shtëpisë së Bardhë. Witkoff lindi në Bronx dhe u rrit në Long Island. Është pasardhës i hebrenjve të Evropës Lindore.
Babai i tij qepte pallto për gra, ndërsa nëna e tij ishte mësuese në shkollë fillore. Kur ishte adoleshent ai mësoi Krav Maga, një art marcial që përdoret në stërvitjen ushtarake izraelite. Witkoff është diplomuar për shkenca politike dhe drejtësi.
Ai u takua për herë të parë me Trump në vitet 1980, kur ishte bashkëpunëtor në kompaninë Dreyer & Traub në Nju Jork, e cila përfaqësonte manjatin në transaksionet e pasurive të paluajtshme. Në atë kohë, ai hoqi dorë nga puna si avokat për të investuar në pasuri të paluajtshme.
E nisi me një biznes të vogël, duke mbledhur qiratë në ndërtesat me shumë apartamente që zotëronte në Bronx. Mbante gjithnjë një revolver të lidhur pas kyçit të këmbës. Shumë shpejt kaloi në Manhattan dhe krijoi reputacionin e një investitor të zellshëm, duke marrë hua të mëdha për të blerë ndërtesa zyrash me zbritje të madhe çmimi.
Trump e vlrësoi shumë besnikërinë e Witkoff pas trazirave në Capitol Hill më 6 janar 2021, kur shumë aleatë të dikurshëm e braktisën ish-presidentin. “Steve ishte aty në orët më të këqija të jetës së tij. Në atë pauzë 4-vjeçare, kur pjesa më e madhe e botës mendonte se ai nuk do të bëhej më kurrë president, apo se ndoshta do ta vdiste në burg, Steve i qëndroi në krah”, më tha në një intervistë Thomas J. Barrack Jr., një investitor miliarder dhe mik i Trump, që sot është ambasador i SHBA-së në Turqi.
Witkoff doli në gjyq për të dëshmuar pro Trump në vitin 2023, gjatë çështjes për mashtrim kundër familjes së ish-presidentit. Pas diskutimeve delikate jashtë vendit, ai zakonisht informon presidentin, zëvendëspresidentin, shefin e stafit dhe këshilltarin e sigurisë kombëtare.
Ai ka marrë këshilla nga një gamë e gjerë njerëzish, përfshirë intelektualë dhe ish-krerë shtetesh, si për shembull nga filozofi dhe aktivisti francez, Bernard-Henri Lévy, mbi luftës në Ukrainë. Ndërsa para negociatave midis Izraelit me Hamasit, Witkoff u konsultua me Hillary Clinton, që vizitoi Lindjen e Mesme në janar, dhe ish-kryeministrin britanik Tony Blair, i cili e ka takuar Witkoff në Uashington.
Ish-shefi i stafit të Blair, Jonathan Powell, tani këshilltar i sigurisë kombëtare i kryeministrit britanik Keir Starmer, është bërë një bashkëbisedues i rëndësishëm, duke kaluar jo pak kohë në shtëpinë e Witkoff në Uashington. Witkoff fajëson në mënyrë të barabartë Moskën dhe Kievin për mos arritjen ende të një marrëveshje për paqen.
Ai nuk e ka vizituar Kievin pavarësisht ftesave të shumta. Kjo sjellje i ka habitur ekspertët e vjetër të Rusisë, përfshirë Michael McFaul, një ish-ambasador të SHBA-së në Moskë, i cili thotë se një i dërguar duhet të flasë me Putinin dhe Zelenskyn.
Por nëse përpjekjet për arritjen e paqes midis Rusisë dhe Ukrainës nuk kanë shkuar tamam sipas planit, Witkoff është më optimist mbi bisedimet bërthamore të Iranit. “Ajo që duket si më e ndërlikuara mund të jetë më e mundshme për t’u zgjidhur”, më tha ai.
Një nga djemtë e tij, Zach, është në biznes me djemtë e presidentit përmes një kompanie kriptomonedhash, World Liberty Financial, kryesisht në pronësi të një familjari të Trump. Witkoff është bashkëthemelues i World Liberty Financial, por më tha se tani “s’ka të bëjë fare me të”. E pyeta se sa gjatë pret të qëndrojë në rolin e tij, dhe m’u duk sikur nuk kishte ndonjë datë konkrete./ Përshtati "Pamfleti" nga “The Atlantic”
Lini një Përgjigje