Kina u bëri thirrje sot "të gjitha palëve" të përfshira në bisedimet e paqes në Uashington, që synojnë t'i japin fund luftës së Rusisë në Ukrainë, të arrijnë një marrëveshje "sa më shpejt të jetë e mundur".
"Shpresojmë që të gjitha palët dhe palët e interesuara do të marrin pjesë menjëherë në bisedimet e paqes dhe do të arrijnë një marrëveshje paqeje të drejtë, të qëndrueshme, detyruese dhe të pranueshme nga të dyja palët sa më shpejt të jetë e mundur", tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Mao Ning në një konferencë për shtyp.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ndërkohë mbërriti mëngjesin e sotëm në Uashington, ku do të zhvillojë një takim të rëndësishëm me presidentin e SHBA-ve Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, në prani edhe të shtatë liderëve të tjerë evropianë.
Në një reagim të fundit Presidenti amerikan Donald Trump theksoi se Zelensky e ka në dorë që t'i japë fund luftës. Shefi i Shtëpisë së Bardhë tha se ai duhet të heqë dorë nga Krimea si dhe anëtarësimi i Ukrainës në NATO.
Trump do të takohet së pari me Zelenskiy në orën 17:15 sipas Orës lokale europiane në Zyrën Ovale dhe më pas me të gjithë udhëheqësit evropianë së bashku në Dhomën Lindore të Shtëpisë së Bardhë në orën 15:00 EDT (19:00 GMT), tha Shtëpia e Bardhë.
Pasi shtroi tapetin e kuq për Presidentin rus Vladimir Putin në Alaska të premten, Trump tha se duhet të arrihet një marrëveshje për t'i dhënë fund luftës 42-mujore që ka vrarë dhjetëra mijëra njerëz dhe ka zhvendosur miliona.
"Rusia është një fuqi shumë e madhe, dhe ata nuk janë," tha Trump për Ukrainën më pas.
Trump po shton presionin mbi Ukrainën që të bjerë dakord për kushtet për t'i dhënë fund luftës me Rusinë, duke i bërë jehonë disa prej pikave të diskutimit të Moskës dy ditë pas takimit me Presidentin Vladimir Putin.
Por mbeten shumë pika ngërçi dhe pyetje. “Kushtetuta e Ukrainës e bën të pamundur heqjen dorë nga territori ose tregtimin e tokës”, tha Zelensky të dielën, duke përsëritur vijën e tij të kuqe për territorin.
Gjithashtu në diskutim janë Donetsku, Luhansku, Zaporizhzhia dhe Khersoni, katër rajone të Ukrainës që Rusia i aneksoi ilegalisht në vitin 2023. Luhansku është i vetmi që Rusia e pushton pothuajse tërësisht. Ajo nuk ka arritur të marrë rripin kyç të fortifikuar të qyteteve në Donetsk.
Nga ana tjetër bëhet e ditur se udhëheqësi rus Vladimir Putin ka bërë disa lëshime në lidhje me "shkëmbimet e tokave" që po kërkon, tha për CNN i dërguari i Presidentit Donald Trump, Steve Wikoff, megjithëse detajet e këtyre diskutimeve nuk janë bërë të qarta.
As Putini, as ndonjë figurë në qeverinë ruse, nuk ka sugjeruar një tërheqje nga kërkesa maksimaliste e Moskës që të katër rajonet duhet t'i jepen kontrollit të saj.
Lini një Përgjigje