
Franca po përgatitet për ditë tejet të nxehta, me temperaturat që pritet të afrohen me 40 gradë Celsius në disa rajone të vendit. Autoritetet meteorologjike kanë vendosur në nivel portokalli alarmi 26 prefektura, nga rajoni i Parisit deri në pjesën lindore të vendit.
Sipas shërbimit meteorologjik Météo-France, vala e të nxehtit nuk do të jetë kalimtare. Parashikimet tregojnë se temperaturat do të mbeten shumë të larta edhe gjatë ditëve në vijim, me kulmin që pritet të arrihet të dielën ose të hënën.
Situata po ndikon në jetën e përditshme të qytetarëve dhe në funksionimin e disa shërbimeve. Në sektorin e arsimit, nxënësit e shkollave të mesme po zhvillojnë provimet e maturës në ambiente të mbinxehura, ndërsa Ministria e Arsimit ka paralajmëruar mundësinë e shtyrjes së provimeve me gojë në disa zona të vendit.
Probleme janë shfaqur edhe në transportin hekurudhor. Operatori kombëtar SNCF ka njoftuar anulimin e 71 linjave hekurudhore nga e enjtja deri të hënën, për shkak të rrezikut të defekteve në sistemet e kondicionimit.
Ekspertët e shëndetit publik paralajmërojnë se valët e të nxehtit po bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe po shfaqen më herët gjatë vitit. Ata theksojnë se temperaturat ekstreme mund të kenë ndikim serioz në organizëm, pavarësisht moshës, veçanërisht gjatë periudhave me aktivitete intensive si provimet, festivalet apo ngjarjet sportive.
Kjo është vala e dytë e të nxehtit që prek Francën brenda pak javësh, pas temperaturave rekord të regjistruara gjatë muajit maj. Sipas klimatologëve, fenomeni lidhet drejtpërdrejt me ndryshimet klimatike, të cilat po sjellin episode gjithnjë e më të shpeshta dhe më intensive të vapës ekstreme.
Ndërkohë, përveç Francës, edhe Spanja dhe Mbretëria e Bashkuar po përballen me paralajmërime për temperatura shumë të larta në ditët në vijim.
Lini një Përgjigje