TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota10 Mars 2026, 18:47

'Think tank'-u islamofob, ndihmoi në hartimin e aktakuzës për “terror” kundër protestuesve të ICE në SHBA

Shkruar nga Pamfleti
'Think tank'-u islamofob, ndihmoi në hartimin e aktakuzës
Drejtori i Center for Security Policy dhe analisti i lartë për sigurinë kombëtare dhe kundërterrorizmin, Kyle Shideler, dëshmon në një seancë dëgjimore të nënkomisionit të Komitetit të Drejtësisë të Senatit më 28 tetor 2025 në Uashington.

Sipas gazetarit Matt Sledge të The Intercept, një studiues i një organizate islamofobe kontribuoi në formulimin e akuzave kundër një grupi protestuesish në Teksas

Sipas një raportimi të gazetarit Matt Sledge të publikuar në The Intercept, një studiues nga think tank-u amerikan Center for Security Policy ndihmoi prokurorët federalë të hartojnë pjesë të aktakuzës për terrorizëm kundër një grupi protestuesish në Texas.

Studiuesi Kyle Shideler deklaroi gjatë dëshmisë së tij në gjykatë se u dha prokurorëve një përkufizim të termit “antifa”, i cili më pas u përdor në aktakuzën kundër asaj që autoritetet e quajnë “qeliza antifa e Teksasit Verior”.

Prokuroria ngriti akuzat pas një proteste të zhvilluar jashtë një qendre ndalimi të U.S. Immigration and Customs Enforcement pranë qytetit Dallas. Demonstruesit organizuan një protestë me fishekzjarre për të shprehur solidaritet me të ndaluarit në qendrën e ndalimit Prairieland në Alvarado.

Gjatë përplasjes me policinë, një oficer u qëllua në qafë. Në gjyq po përballen me akuza nëntë persona, të cilët rrezikojnë dënime shumëvjeçare ose edhe burgim të përjetshëm.

Avokatët e mbrojtjes ngritën pikëpyetje për rolin e think tank-ut ku punon Shideler. Organizata Center for Security Policy u themelua nga Frank Gaffney, një ish-zyrtar i Departamentit amerikan të Mbrojtjes gjatë administratës së Ronald Reagan. Gaffney është përshkruar shpesh nga kritikët si një aktivist islamofob për shkak të teorive dhe qëndrimeve të tij kundër islamit.

Edhe vetë organizata është akuzuar për promovimin e ideve islamofobe në aktivitetet dhe publikimet e saj. Southern Poverty Law Center e ka klasifikuar më parë këtë institucion si një grup urrejtjeje, një vlerësim që Shideler e kundërshtoi gjatë dëshmisë së tij në gjykatë.

Avokatët e të pandehurve theksuan gjithashtu se studiuesi nuk përdor metoda akademike të verifikueshme, nuk i nënshtrohet procesit të rishikimit shkencor dhe mbështetet kryesisht në materiale të hapura në internet.

Raportimi i Matt Sledge thekson se dëshmia në gjykatë ka hapur një debat të ri në Shtetet e Bashkuara për rolin e organizatave ideologjike dhe think tank-ëve politikë në përgatitjen e akuzave federale për terrorizëm kundër aktivistëve politikë.

Lini një Përgjigje