
Ukraina është bërë pjesë e një thirrjeje për përfaqësuesit e BE-së dhe SHBA-së, duke kërkuar ekuilibër dhe proporcionalitet në marrëdhëniet e bashkësisë ndërkombëtare me Kosovën e Serbinë dhe specifikisht qasje më të ashpër ndaj presidentit serb, Aleksandar Vuçiç.
Për letrën dërguar diplomatëve të lartë të Perëndimit raportuan edhe në Kyiv.
“Kosova është shtet sovran dhe demokraci funksionale”, thuhet në një letër të përbashkët të kryetarëve të komiteteve të politikës së jashtme të SHBA-së, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar, e ku ka marrë pjesë edhe Ukraina. Aty ka nënshkruar kreu i Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin Ukrainas, Oleksandr Merezhko. Një befasi kjo, pasi që Ukraina ende nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
Kyiv Post, gazeta më e vjetër ukrainase në gjuhën angleze, e ka publikuar të plotë letrën me titullin “Deklaratë e përbashkët për Kosovën”.
Sipas Tagesspiegel, letra u nënshkru nga kryetarët e komiteteve të politikës së jashtme të Bundestagut, Michael Roth (SPD) dhe Senatit të SHBA-së, Bob Menendez, por edhe kryetarëve të komiteteve të punëve të jashtme të Dhomës Britanike të Komunave dhe parlamenteve të Republikës Çeke, Ukrainës, Irlandës, Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë.
Në letrën dërguar përfaqësuesve të lartë të SHBA-së dhe BE-së, shprehet shqetësim për politikën aktuale të Perëndimit në raport me marrëdhëniet Kosovë-Serbi, duke kërkuar rishqyrtim.
Duke kërkuar qasje më të ashpër ndaj presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, ata ia kujtojnë SHBA-së, BE-së e Mbretërisë së Bashkuar se “Kosova është një vend sovran dhe një demokraci funksionale”.
“Ky fakt duhet të jetë baza e politikës sonë të përbashkët ndaj krizës aktuale”, thuhet ndër tjerash në këtë letër.
Lini një Përgjigje