Shefi i ri i dizajnit i administratës së Donald Trump, thotë se synon të përmirësojë shërbimet qeveritare që ato të jenë po aq të kënaqshme për përdoruesit siç mund të jetë dyqani i aplikacioneve të “Apple”-it (App Store).
“Reuters” shkruan se Trump ka emëruar bashkëthemeluesin e “Airbnb”, Joe Gebbia, për të udhëhequr Studion Kombëtare të Dizajnit, një njësi e re që do të përpiqet të bëjë më efikase shërbimet dixhitale në agjencitë federale.
Gebbia tha në një postim në platformën “X” të shtunën se synon që faqet e internetit të qeverisë të jenë të dizajnuara bukur dhe të funksionojnë me software modern dhe përvojë të shkëlqyer për përdoruesit.
“Një përvojë që reflekton një nivel ekselence për kombin tonë dhe e bën jetën më pak të ndërlikuar për amerikanët e zakonshëm,” tha ai.
Trump nënshkroi të enjten një urdhër ekzekutiv për të krijuar këtë studio, një njësi e re që, sipas një zyrtari të njohur me planin, duket të jetë një version i thjeshtuar i Departamentit të diskutueshëm për Efiçencën e Qeverisë, që dikur drejtohej nga miliarderi Elon Musk.
Gebbia, i cili ka udhëhequr përpjekjet për të përmirësuar procesin federal të pensionimit në agjencinë e burimeve njerëzore federale, është tani shefi i ri i dizajnit. “Reuters” raportoi këtë javë se zgjidhja e problemeve në Shërbimin e Të Ardhurave të Brendshme (IRS) do të jetë një nga fokuset kryesore.
Shumë faqe interneti të qeverisë amerikane janë dizajnuar nga ofertuesit më të lirë dhe janë të vështira për t’u përdorur, ose nuk janë përditësuar ndjeshëm prej vitesh.
Zyrtari i Shtëpisë së Bardhë, David Sacks, tha në “X” se Gebbia do të “mbikëqyrë ridizajnimin e afërsisht 26 mijë portaleve federale në internet, shumë prej të cilave janë të vjetruara, në mënyrë që t’u shërbejnë më mirë përfituesve të Sigurimeve Shoqërore, veteranëve dhe të gjithë qytetarëve.”
Sipas urdhrit ekzekutiv të Trump-it, Studioja Kombëtare e Dizajnit do të përmirësojë “lehtësinë në përdorim dhe estetikën” e shërbimeve dixhitale federale.
Studioja do të këshillojë agjencitë mbi mënyrat për të ulur kostot e përsëritura të dizajnit dhe për të përdorur dizajn të standardizuar në faqet ku qytetarët ndërveprojnë me qeverinë.
Urdhri gjithashtu përcakton që studioja do të mbyllet pas tre vitesh.
Lini një Përgjigje