
Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar se ka urdhëruar sekretarin e Luftës, Pete Hegseth, me kërkesë të sekretares për Sigurinë Kombëtare, Kristi Noem, të dislokojë Gardën Kombëtare në Portland, Oregon, për t’u përballur me atë që ai e cilësoi si “terroristë të brendshëm”.
Në një postim në rrjetin e tij social Truth, Trump e përshkroi qytetin si “të shkatërruar nga lufta” dhe tha se trupat do të kenë të drejtën e përdorimit të “forcës së plotë” për të mbrojtur strukturat e ICE (Immigration and Customs Enforcement), të cilat sipas tij janë “nën sulm nga Antifa dhe grupime të tjera terroriste”.
Ky vendim shënon një zgjerim të operacioneve të diskutueshme të presidentit për përdorimin e forcës federale në qytete të ndryshme amerikane. Tensionet u rritën veçanërisht pas vrasjes së aktivistit konservator Charlie Kirk, ngjarje që Trump e përdori për të intensifikuar retorikën kundër asaj që ai e quan “e majta radikale”, të cilën e mban përgjegjëse për dhunën politike në vend.
Më herët, Trump kishte përshkruar jetën në Portland si “si të jetosh në ferr” dhe kishte paralajmëruar mundësinë e dërgimit të trupave federale – një skenar që tashmë po zgjerohet edhe në qytete të tjera, përfshirë Çikagon dhe Baltimoren.
Ndërkohë, kryetari i bashkisë së Portlandit, Keith Wilson, e refuzoi ndërhyrjen federale, duke theksuar se qyteti i tij ka menaxhuar protestat dhe episodet sporadike të dhunës pa nevojën e trupave të jashtme. “Si shumë kryetarë të tjerë, nuk e kam kërkuar këtë ndërhyrje, dhe nuk kam nevojë për të,” deklaroi ai.
Strukturat e ICE në Portland kanë qenë shpesh objekt protestash, që në disa raste kanë degjeneruar në përplasje të dhunshme, ku disa agjentë federalë kanë mbetur të plagosur.
Ky veprim vjen pas rasteve të ngjashme gjatë verës, kur Trump kishte dërguar Gardën Kombëtare në Los Angeles dhe në Washington D.C., duke e justifikuar me nevojën për “ruajtjen e rendit publik”. Në Tennessee, autoritetet e Memphis po përgatiten gjithashtu për dislokimin e trupave, një masë e konfirmuar nga guvernatori republikan Bill Lee si pjesë e rritjes së forcave kundër kriminalitetit.
Lini një Përgjigje