Dërgoi trupat e Gardës në Los Angeles, Prokurori i Kalifornisë padit Presidentin për shkelje të ligjit
Protestat masive që kanë paralizuar Los Angeles-in gjatë ditëve të fundit, pas aksioneve brutale të agjentëve federalë kundër emigrantëve pa dokumente, kanë marrë një kthesë të rrezikshme me përfshirjen e Gardës Kombëtare dhe me retorikën e zjarrtë të Donald Trump.
Presidenti amerikan, në një deklaratë të dhënë për gazetarët, i ka quajtur protestuesit “insurreksonistë” dhe “persona të këqij që duhet të përfundojnë në burg”. Ai ka shtuar se “pa ndërhyrjen e Gardës Kombëtare, Los Angeles do të ishte shkatërruar plotësisht”.
Vendimi për të dërguar Gardën Kombëtare në qytet është kundërshtuar ashpër nga guvernatori i Kalifornisë Gavin Newsom dhe kryebashkiakja Karen Bass. Por Trump, përmes platformës së tij Truth Social, ka shpërthyer: “Ata duhet të më falënderojnë, të më thonë që jam i mrekullueshëm dhe që nuk do të ishin asgjë pa mua. Në vend të kësaj, zgjedhin të gënjejnë popullin e Kalifornisë dhe të Amerikës duke thënë se këto janë ‘protesta paqësore’. Të dy janë të paaftë!”.
Në një moment shokues, i pyetur nëse Tom Homan duhet të arrestojë guvernatorin Newsom, Trump është përgjigjur: “Unë do ta bëja. Gavin është i fiksuar pas publicitetit, është jashtëzakonisht i paaftë dhe po bën një punë të tmerrshme”.
Kjo retorikë përvëluese vjen në një moment tensioni ekstrem, ku përdorimi i Gardës Kombëtare pa miratimin e autoriteteve lokale ka hapur një precedent të rrezikshëm, që evokon skenare autoritare të së kaluarës amerikane.

Ndërsa Prokurori i Përgjithshëm i Kalifornisë, Rob Bonta, mbajti një konferencë për shtyp në përgjigje të federalizimit të Gardës Kombëtare nga Presidenti Donald Trump.
Trump urdhëroi vendosjen e 2,000 trupave të Gardës Kombëtare për të shuar protestat e imigracionit në Los Angeles, duke anashkaluar kundërshtimet e Guvernatorit të Kalifornisë, Gavin Newsom, në një veprim të rrallë. Aktualisht, ka 300 trupa në terren, duke mbrojtur personelin dhe pronën federale.
Prokurori i Përgjithshëm i Kalifornisë, Rob Bonta, akuzoi Presidentin Donald Trump dhe Sekretarin e Mbrojtjes Pete Hegseth për federalizim “të paligjshëm” të Gardës Kombëtare të shtetit.
“Në orët e para të mëngjesit të së dielës, Presidenti Trump dhe Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth federalizuan në mënyrë të paligjshme 2,000 trupa të Gardës Kombëtare të Kalifornisë për 60 ditë pa asnjë tregues se kur kanë ndërmend të tërhiqen. Ata e bënë këtë pa autorizim nga Guvernatori Newsom dhe kundër dëshirës së zbatimit të ligjit vendas”, tha Bonta gjatë një konference për shtyp.
Prokurori i Kalifornisë e quajti urdhrin e Presidentit Donald Trump për thirrjen e Gardës Kombëtare në Los Angeles "të panevojshëm, kundërproduktiv dhe të paligjshëm, gjatë një konference për shtyp të hënën.
“Urdhri që abuzoi me autoritetin e qeverisë federale dhe shkeli Amendamentin e 10-të dhe ligjin federal, një urdhër që anashkaloi hapa të shumtë racionalë, të shëndoshë dhe strategjikë që duhej të ishin ndërmarrë për të shuar trazirat dhe për të parandaluar përshkallëzimin", tha ai.
Lini një Përgjigje