
Rezultatet e pesë pyetjeve në referendumin në Itali shpallen të pavlefshme, pasi nuk morën numrin e kërkuar të votave.
Konkretisht, pjesëmarrja e qytetarëve italianë, të cilët zgjodhën të shprehnin vullnetin e tyre për 5 çështje që kishin të bënin me të drejtat e punës dhe dhënien e shtetësisë shtetasve të huaj, sipas të dhënave të deritanishme, nuk i kaloi 30%.
Si pasojë, rezultati i tyre është i pavlefshëm, sepse ligji përkatës përcakton që që çdo referendum të konsiderohet i vlefshëm, duhet të votojnë të paktën 50%+1 e atyre që kanë të drejtë vote.
Në një postim në rrjetet sociale, partia e kryeministres italiane Giorgia Meloni theksoi: "qëllimi i vetëm i vërtetë i këtij referendumi ishte rrëzimi i qeverisë. Megjithatë, në fund, italianët votuan në favor të rrëzimit të opozitës".
Partitë e aleancës qeveritare konservatore që qeveris vendin kishin mbështetur abstenimin, ndërsa forcat më të mëdha të opozitës (Partia Demokratike, Lëvizja Pesë Yje dhe e Majta Italiane me Ekologjistët) mbështetën një votë "po" në referendume.
Ministri i Jashtëm italian dhe kreu i partisë Forza Italia, Antonio Tajani, tha gjithashtu se shumica qeveritare do të ndërmerrte një iniciativë për të rritur numrin e nënshkrimeve të nevojshme për të kërkuar një referendum. Deri më sot, numri përkatës është 500,000 nënshkrime.
Radikalët italianë dhe partia "Më shumë Evropë", të cilat mbështetën referendumin për dhënien e shtetësisë, theksojnë se "fitoi abstenimi i organizuar, i cili u favorizua nga mungesa e informacionit të mjaftueshëm dhe nga një formë spontane e abstenimit".
Lidhur me katër çështjet për forcimin e të drejtave të punës, qytetarët që shkuan në votime votuan "po" me një përqindje që varionte nga 85% në 88%.
Për referendumin që kërkonte uljen e kohës së nevojshme, nga dhjetë në pesë vjet, për t'u dhënë shtetësinë italiane qytetarëve të huaj që jetojnë përgjithmonë në vend, 62% e qytetarëve që shkuan në votime votuan pro.
Lini një Përgjigje