TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota28 Maj 2025, 18:47

Trump i zhgënjyer: Si e përdori Putin 'artin e paqes' për ta nënshtruar liderin amerikan

Shkruar nga Pamfleti

 Trump i zhgënjyer: Si e përdori Putin 'artin e paqes'

Presidenti amerikan ofroi gjithçka për një marrëveshje që nuk ndodhi kurrë. Putin e trajtoi si një figurë të padëmshme dhe butaforike ndërsa vijonte pushtimin. Pas ‘dashurisë diplomatike’, Trump i kthen fjalët mbrapsht...

Donald Trump, i bindur se do të arrinte “paqen brenda 24 orësh” për luftën në Ukrainë, është përballur me një mur të ftohtë nga Vladimir Putin, një lider që e njeh mirë psikologjinë e tij dhe e përdor me mjeshtëri. Që para takimit të parë me Trump në vitin 2017, Kremlini kishte kërkuar raporte të hollësishme mbi mënyrën se si funksionon mendja e biznesmenit që u bë president.

Në vend që të përballej me një partner të vështirë, Putin gjeti përballë një “dealmaker” që e përkufizonte diplomacinë si një marrëveshje biznesi. Trump ofroi shumë: minimizimin e agresionit rus, njohjen e territoreve të aneksuara, refuzimin për të zgjatur mbrojtjen e NATO-s ndaj Ukrainës, deri te sabotimi i agjencive amerikane që hetonin ndërhyrjet ruse në zgjedhje dhe krimet e luftës në Donbas.

Ndërsa Trump priste përqafime dhe falënderime, Kremlini i ktheu një buzëqeshje të ftohtë dhe një ironi të hidhur: e cilësuan si një lider emocionalisht “të tejngarkuar”, fjalë që për një figurë që e ndërton fuqinë mbi autoritetin, janë më therëse se një fyerje.

Putin, për të cilin çdo koncesion është një derë e hapur drejt rikthimit të lavdisë perandorake të Rusisë, e përdori Trump si një mjet për të neutralizuar Perëndimin dhe për të shkatërruar unitetin euro-atlantik. E gjitha kjo, ndërkohë që Trump flirtonte me idenë për ta larguar SHBA nga një luftë që, sipas tij, “është më shumë punë e europianëve”.

Kjo sjellje është paralajmëruar qysh më parë në analizat mbi personalitetet autoritare që admirojnë diktatorët, por përfundojnë të manipuluar prej tyre. Dhe sot, ndërsa Trump sheh sesi "miku i tij" nuk i kthen as një pushim të përkohshëm zjarresh, ai është i detyruar të heqë dorë edhe nga ëndrra për Nobelin e Paqes./Pamfleti

pamfleti trump i zhgënjyer putin e përdori arti i paqes

Lini një Përgjigje