Presidenti i SHBA, Donald Trump ka intensifikuar retorikën ndaj Iranit përmes një postimi në platformën Truth Social, ku akuzoi Teheranin për vonesa në procesin negociues dhe paralajmëroi pasoja të mëtejshme.
Presidenti amerikan deklaroi se forcat ushtarake iraniane janë dobësuar ndjeshëm, duke pretenduar se një pjesë e madhe e Marinës dhe Forcave Ajrore nuk ekzistojnë më pas goditjeve të fundit. Sipas tij, Irani nuk ka vepruar konkretisht në negociata dhe tashmë do të përballet me koston e vendimeve të veta.
"Ushtria e Iranit është një rrëmujë absolute. Pjesa më e madhe e saj, si Marina dhe Forcat Ajrore, as nuk ekzistojnë më, ata janë mposhtur plotësisht. Irani është vetëm fjalë dhe asnjë veprim. "Dhunuesi" i Lindjes së Mesme është i VDEKUR!!!" tha Donald Trump.
Trump tha se udhëheqja iraniane humbi mundësinë për të arritur një marrëveshje që, sipas tij, do të ishte në interes të Teheranit. Ai la të kuptohet se periudha e negociatave ka përfunduar dhe se situata ka hyrë në një fazë tjetër.
Deklaratat e tij kanë ngritur pikëpyetje edhe mbi fatin e armëpushimit që vetë presidenti amerikan kishte shpallur në fillim të prillit. Mesazhi i fundit është interpretuar si një sinjal presioni ndaj Iranit për të pranuar kushtet e draftit që ndodhet aktualisht në tryezën e bisedimeve.
Në të njëjtin postim, Trump u ndal edhe te masat ekonomike dhe ushtarake të SHBA-së kundër Iranit. Ai pretendoi se bllokada detare e vendosur nga Uashingtoni ka penguar pothuajse plotësisht aktivitetin tregtar iranian dhe po e shtyn ekonominë e vendit drejt një krize të thellë.
Sipas presidentit amerikan, kontrolli amerikan mbi rrugët detare ka kufizuar lëvizjen e mallrave dhe ka ndikuar drejtpërdrejt në financat e shtetit iranian. Ai deklaroi se Irani po has vështirësi në pagesën e forcave të armatosura dhe të detyrimeve të tjera financiare.
Në një intervistë telefonike për Fox News, Trump paralajmëroi se mund të autorizojë sulme të tjera ndaj infrastrukturës iraniane, duke përfshirë termocentrale dhe ura. Ai argumentoi se autoritetet iraniane po vonojnë arritjen e një marrëveshjeje dhe tha se SHBA-ja është e gatshme të vazhdojë operacionet ushtarake.
Presidenti amerikan shtoi se forcat amerikane kanë shkatërruar rreth 55 për qind të kapaciteteve që Irani kishte rindërtuar gjatë periudhës së armëpushimit.
Nga ana tjetër, Teherani kundërshton pretendimet amerikane dhe këmbëngul se kushtet aktuale nuk lejojnë zhvillimin normal të negociatave. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Ali Baghai, deklaroi se nuk mund të flitet për armëpushim ndërsa objektiva iraniane vazhdojnë të goditen nga SHBA-ja.
Sipas tij, çdo përpjekje diplomatike kërkon një mjedis minimalisht të qëndrueshëm dhe ndërprerja e sulmeve është kusht i domosdoshëm për vazhdimin e dialogut.
Ndërkohë, operacionet ushtarake amerikane vazhduan edhe gjatë orëve të para të së mërkurës. Një zyrtar amerikan bëri të ditur se sulmet zgjatën afërsisht katër orë dhe përfshinë rreth 20 objektiva iraniane.
Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike njoftoi se mes objektivave të goditura ishin Ishulli Qeshm dhe porti i Shirikut. Mediat iraniane raportuan gjithashtu shpërthime në Bandar Abbas dhe më vonë në zonat pranë Jaskut, në hyrje të Ngushticës së Hormuzit.
Komentet e fundit të Trump vijnë vetëm një ditë pasi ai kishte deklaruar se një marrëveshje mes palëve mund të arrihej brenda dy ose tre ditësh. Në atë deklaratë, presidenti amerikan kishte thënë gjithashtu se Ngushtica e Hormuzit do të rihapej menjëherë pas përfundimit të negociatave.
Paralajmerimi i 1200...