Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka deklaruar se objektivat e SHBA-së në Lindjen e Mesme janë afër realizimit, duke lënë të kuptohet një tërheqje të mundshme të angazhimit ushtarak në rajon.
Në një postim të premten në platformën Truth Social, Trump tha se po shqyrtohet përfundimi i operacioneve ushtarake ndaj regjimit iranian.
“Po i afrohemi shumë arritjes së objektivave tona dhe po shqyrtojmë përfundimin e përpjekjeve tona të mëdha ushtarake në Lindjen e Mesme kundër regjimit terrorist të Iranit”, shkroi ai.
Duke komentuar mbi Ngushticën e Hormuzit, presidenti 79-vjeçari theksoi se ruajtja dhe patrullimi i saj duhet të kryhet nga vendet që e përdorin, ndërkohë që SHBA-ja nuk do të marrë pjesë drejtpërdrejt.
Lideri amerikan gjithsesi la të hapur mundësinë e mbështetjes amerikane në rast se kjo kërkohet nga vendet e tjera.
“Nëse kërkohet, ne do t’i ndihmojmë këto vende në përpjekjet e tyre për Hormuzin, por kjo nuk duhet të jetë e nevojshme, pasi kërcënimi nga Irani të zhduket”, përfundoi Trump.
Lufta në Lindjen e Mesme nisi më 28 shkurt me sulmin e SHBA-Izrael të shpallur nga presidenti amerikan Donald Trump, duke hapur një kapitull të ri përplasjesh direkte me Iranin.
Zhvillimet më tronditëse janë eliminimi i liderit suprem Ali Khamenei dhe i zyrtarit të lartë Ali Larijani nga sulmet izraelite, duke sjellë një ndryshim të menjëhershëm në krye të Iranit me ardhjen në pushtet të Mojtaba Khamenei-t dhe duke e çuar rajonin në prag të një përshkallëzimi të pakontrolluar. Këtë të premte, më 20 mars, u raportua dhe vrasja e zëdhënësit të IRGC-së, Ali Mohammad Naini.
Trump ka kërcënuar goditje të drejtpërdrejta ndaj infrastrukturës jetike energjetike të Iranit, ndërsa pas sulmit izraelit ndaj fushës gjigante të gazit South Pars, çmimet e gazit dhe naftës janë rritur.
Lini një Përgjigje